Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve për “Vidovdanin”, të cilat pritet të mbahen të shtunën, më 28 qershor.
Lidhur me planet dhe masat operacionale, policia ka shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat thotë se janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
“Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente”.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, policia kërkoi mirëkuptimin e plotë nga ana e pjesëmarrësve në trafik me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimin e mundshëm të trafikut.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.