Është ndër politikanët e paktë i cili i ka deklaruar kripto-valutat si një nga format e rritjes së pasurisë së tij.
Ndaj, të shtunën, në Klan Arena, Memli Krasniqi ishte panelist në konferencën “BlockTalk Prishtina 2025” – të organizuar për të dytin vit me radhë në Prishtinë, e dedikuar teknologjisë blockchain dhe kriptovalutave. Dhe kjo, në bashkëpunim me kompaninë më të madhe në botë në këtë fushë, Binance.
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, që këtu foli vetëm si një deputet dhe pjesëtar i industrisë së kriptovalutave, e pati një këshillë për të gjithë ata që duan t’i hyjnë kësaj rruge.
“Mendoj se është shumë i rëndësishëm edukimi jo formal, sepse siç e dimë, edukimi formal është armiku i suksesit. Këshilla ime e vetme është mos investoni më shumë se sa mund të humbni”, ka thënë Krasniqi.
Gent Shala që foli në panelin dedikuar Kosovës, si një qendër e kriptove, tha se vendi ka potencial që të zhvillohet në këtë drejtim.
Ndërsa, mysafiri special, Kyrylo Khomiakov nga Global Binance, që vjen për herë të parë në Kosovë, thotë se vendi ynë ka predispozita më të mira për t’u marrë më crypto.
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”. Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.