Presidenca daneze e Këshillit të BE-së është zotuar se do të angazhohet të “gjejë rrugë” për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimit europian. Megjithatë, Danimarka s’foli konkretisht nëse do të merret më seriozisht se paraardhëset e saj me aplikimin e Kosovës në BE, i cili u dorëzua më dhjetor të vitit 2022 dhe që atëherë s’ka kaluar asnjë fazë të mëtutjeshme.
Nga 1 korriku Danimarka mori drejtimin e Presidencën së Këshillit të Bashkimit Europian në një kohë kur BE po përballet me një rend të ri ndërkombëtar e konflikte në rritje. Në mesin e gjithë këtyre çështjeve që do t’i duhet të merret, në sirtar i ka mbetur edhe aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian.
Përfaqësia e Përhershme të Danimarkës në BE në një përgjigje për Gazetën Express tha se Presidenca daneze do të shtyjë përpara procesin e zgjerimit për vendet që aspirojnë t’i bashkohen Unionit dhe për “rastin e Kosovës” dha një zotim se do të angazhohet “për të gjetur” rrugë meqë ndryshe nga vendet tjera të rajonit, Kosova ka problemin e mosnjohjes së shtetësisë së saj nga pesë vende anëtare.
“Presidenca Daneze e BE-së do të punojë ngushtë me Komisionin dhe shtetet anëtare për të çuar përpara procesin e zgjerimit bazuar në merita dhe mbështetje për reformat e nevojshme dhe hapat politikë në vendet aspiruese. Në rastin e Kosovës, Presidenca Daneze do të punojë për të gjetur rrugë përpara, të cilat mund të kontribuojnë në integrimin më të ngushtë të Kosovës me BE-në”.
Optimist se Danimarka do të ndihmojë rajonin ishte shprehur edhe vetë presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa.
“Mund të mbështetemi te Presidenca daneze për të çuar përpara negociatat me Ukrainën, dhe gjithashtu me Moldavinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Costa në ceremoninë e marrjes së presidencës nga Danimarka.
Aplikimi i Kosovës i dorëzuar në mes të dhjetorit të vitit 2022 nuk ka arritur të kalojë as fazën e parë për t’u shqyrtuar nga Këshilli i BE-së dhe më pas të dërgohet për opinion te Komisioni Europian.
Në rotacionin gjashtëmujor, që nga 2022-a Presidencën e Këshillit të BE-së e udhëhoqën shtete anëtare që ishin edhe më mbështetëse ndaj Kosovës, por asnjëra prej tyre nuk e nxori aplikimin për ta çuar më tej.
Kosova ishte nxituar që ta dorëzojë aplikimin më 2020, vetëm gjysmë muaji para se Çekia ta përfundonte Presidencën, me pretendimin se si shtet mik do të ndërmerrte hapat për procedurat formale e bazike që zakonisht merren për aplikimet e tilla. Megjithatë, kjo s’ndodhi.
Aplikimin e Kosovës e kishte dorëzuar në Pragë kryeministri Albin Kurti në ndërtesën e Qeverisë çeke te kryediplomati i këtij vendi.
Edhe pse problematikat për trajtimin e këtij aplikimi ishin veçse të njohura, Kurti atëherë i kishte minimizuar, duke shprehur optimizëm se pesëshja mosnjohëse s’do të shkaktonte pengesa për aspiratat e qarta të Kosovës për t’u bërë anëtare në BE.
Kur ishte pyetur në lidhje me pengesën që mund të paraqesin pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën – Rumania, Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Qiproja – Kurti tha se kur Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me bllokun, në vitin 2015, pesë shtetet ishin dakord.
“Nuk besoj se pakica e shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njeh pavarësinë tonë, do të jetë kundër bashkimit tonë me familjen europiane”, kishte thënë atëherë Kurti, siç raportonte REL.
Një ditë më herët, krerët e Kosovës atëherë, presidentja Osmani, kryeparlamentari Konjufca dhe kryeministri Kurti e kishin konsideruar historike këtë ngjarje.
Gjatë kësaj periudhe në krye të Presidencës së BE-së pas Çekisë ishte Suedia – nga janari deri në qershor 2023, më pas ishte Spanja – nga korriku deri në dhjetor 2023, e cila as nuk ishte prononcuar mbi këtë aplikim. Spanja u pasua nga Belgjika – nga janari deri në qershor 2024, më pas ishte Hungaria – nga korriku deri në dhjetor 2024 dhe para Danimarkës ishte Polonia – nga janari deri në qershor 2025.
Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.