Live

Presidentja Osmani reagon pas Ohrit: S’kam asnjë pritje nga Serbia, Kosova u dëshmua si pala e vetme konstruktive

17:00 / 19 Mars 2023

Nga Kosova Live

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas pajtimit për zbatimin e aneksit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë më 18 mars nga kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Zyra e Presidentes për Nacionalen, kanë thënë se Kosova u dëshmua edhe një herë palë konstruktive në dialog.

Por, ajo u shpreh edhe se “nga Serbia nuk kishte asnjë pritje” duke vazhduar se “Serbia do të vazhdojë t’i shkelin edhe marrëveshjet e dakorduara”.

Deklaratë e Presidentes Osmani pas dakordimit të Aneksit të Marrëveshjes bazë me Serbinë: Tani që u dakordua edhe aneksi i marrëveshjes bazë dhe Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse.

Më tej, Osmani ka thënë se për të pasur një zbatim të mirëfilltë të marrëveshje, duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj Serbisë.

Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet. Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme.” – ka thënë ajo në një deklaratë që ka dërguar për Nacionalen, këshilltari për media i presidentës, Bekim Kupina.

Në anë tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret nga Bashkimi Evropian që marrëveshjen ta bëjë ligjërisht obliguese.

Tash kemi arritur marrëveshje për aneksin e implementimit të Marrëveshjes Bazë. Serbia – si në takimin e fundit në Bruksel – shmangu nënshkrimin e Marrëveshjes, e tash edhe të Aneksit. Mbetet te BE-ja të gjejë mekanizëm për të bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme.” – ka shkruar Kurti të dielën në Twitter.

Pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, u deklaruar kryediplomati i BE-së, Josep Borell.

Borrell mes tjerash ishte shprehur edhe se Kosova nuk kishte qenë fleksibile sa i përket substancës së marrëveshjes, ndërkohë që Serbia kishte refuzuar të nënshkruante.

Më duhet të pranoj se fillimisht propozuam një propozim më ambicioz e më të detajuar për Aneksin. Fatkeqësisht, palët nuk mund të arrinin një marrëveshje mbi këtë propozim të detajuar. Mendoj se kjo ndodhi sepse njëra palë, Kosova, nuk kishte fleksibilitet mbi substancën, dhe sepse Serbia në anën tjetër ishte zotuar të mos nënshkruante pavarësisht që janë plotësisht të gatshëm që ta zbatojnë.” – ka thënë ndër të tjera ai.

Çka thotë ankesi i zbatimit?

Të gjitha pikat e Aneksit:

-Ky aneks konstituon pjesë integrale të Marrëveshjes.

-Kosova dhe Serbia plotësisht përkushtohen që të respektojnë të gjitha Paragrafet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe implementimi i të gjitha obligimeve respektive që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky aneks në mirëbesim.

-Palët e kuptojmë se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale të proceseve respektive për hyrje në BE të Kosovës dhe Serbisë. Palët e kuptojnë se menjëherë pas adoptimit të Marrëveshjes dhe këtij aneksi, Lehtësuesi i BE-së do të nis procesin e rregullimit të standardeve të Kapitullit 35 për Serbinë prë të reflektuar mbi obligimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim menjëherë do të reflektojë mbi obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga marrëveshja dhe ky aneks.

-Palët pajtohen për t’u pajtuar me Deklaratën mbi Persona të Zhdukur, të negociuar në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

-Për të zbatuar Nenin 7, Kosova i nis menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja mbi artitjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive për të siguruar nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, në përputhshmëri me marrëveshjet e dialogut siç janë përcaktuar nga lehtësuesi i BE-së.

-Palët pajtohen të nisin një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha provizioneve duhet të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

-Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh për ta vënë një pako ndihmash financiare dhe investimesh për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë alokim nuk do të ndodh para se BE-ja të vendos që të gjitha provizionet e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

-Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjithë Nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

-Rendi i paragrafeve në Aneks është pa paragjykim mbi rendin e zbatimit të tyre.

-Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë Neni.

-Të gjitha diskutimet e lidhura me zbatimin e Marrëveshjes do të zënë vend nën Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

-Kosova dhe Serbia e kuptojnë se çdo dështim për të respektuar obligimet e tyre nga Marrëveshja, ky Aneks apo Marrëveshjet e mëehrshme të dialogut do të kenë pasoja direkte negative për proceset e hyrjes së tyre në BE dhe për ndihmat financiare që marrin nga BE-ja.

Shpërndaje në

U Kopjua