Live

Presidentja Osmani shkon në darkën e Borrellit në New York, nuk i përmend akuzat e Kurtit ndaj Lajçakut

22:02 / 19 Shtator 2023

Nga Kosova Live

Me organizim të Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në një darkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Ndonëse Kryeministri Kurti pati një mal kritikash ndaj emisarit Mirosllav Lajçak, që po ashtu ishte pjesë e kësaj darke, Osmani është parë duke biseduar me të. E, as për këto akuza nuk ka folur, shkruan Reporteri.net.

Para disa ditëve, në konferencë për media, Kurti akuzoi emisarin Lajçak se po bashkëpunon me Serbinë, dhe se po ia plotëson të gjitha kërkesat Presidentit Vuçiq. Ai ka thënë se pasi propozoi një plan të sekuencimi të punuar nga Republika e Kosovës, presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar.

Mirëpo, Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, nuk ka përmendur këto akuza që Kryeministri Kurti pati ndaj Lajçakut.

Siç bën të ditur komunikata e Presidencës, ndër të tjera në këtë darkë është folur për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duke thënë se ato vetëm se e pengojnë procesin e dialogut.

“Presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani po ashtu ka thënë se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së.

“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka theksuar Presidentja Osmani. 

Shpërndaje në

U Kopjua