Prokuroria Speciale e Kosovës po zhvillon hetime për ndërhyrjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi në procesin e shpronësimit në fshatin Shipitullë të Obiliqit. Thaçi tanimë zyrtarisht është edhe kandidat i LVV-së për kryetar të Komunës së Obiliqit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
.Në pyetjet dërguar Prokurorisë Speciale nga KALLXO.com për rastin e deputetit Thaçi, kjo Prokurori ka konfirmuar hetimet.“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje” – thuhet mes tjerash në përgjigje.
Nga kjo Prokurori kanë deklaruar se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
“Rasti konkret është duke u trajtuar brenda afatit ligjor, sipas Kodit të Procedurës Penale. Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, por me qëllimin për ruajtjen e integritetit të procesit hetimor në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione” – thuhet tutje në përgjigje.
Ky rast fillimisht ishte dërguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të cilët kanë deleguar rastin në Prokurorinë Speciale.
Lëvizja Vetëvendosje, më 05.06.2025 ka konfirmuar kandidaturën e Thaçit për të parin e Obiliqit.“Alternativa qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kastriot përfshinë të gjitha lagjet e fshatrat anembanë komunës. Fryma e investimeve të Qeverisë qëndrore për Kastriotin do të përcjellet edhe në nivelin lokal ku përkushtimi e puna për përmirësim të kushteve e të shërbimeve për qytetarët do të jetë e pandalshme” – thuhet mes tjerash në njoftimin e LVV-së.Në “KallxoPërnime”, më 13.07.2024 u transmetua një material në të cilin dëgjohet deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, derisa u tregon disa banorëve se ai ka diskutuar me Kryeshefin e KEK-ut dhe kryetarin e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për të ndryshuar hartat e shpronësimeve. KPMM është institucion i pavarur dhe vendimet e veta do duhej t’i merrte sipas ligjit.
Deputeti flet edhe për ndikimin në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe në KEK.
“Qaj 1 hektar e 60 ari që është hy me u shpronësu qaty, qaj ka me ra edhe ka me ju shpronësu krejt juve. Unë sot kesh me këtë drejtorin, zëvendësdrejtorin, të martën jam taku edhe me Bekirin. Na jemi tu e prit KPMM-në që KPMM-ja me ja dhanë orientimin mihjes. KPMM-ja del në vend të ngjarjes, e konstaton që qata banorë janë në rrezik, ja prej zhurmës ja… Vijnë i këqyrin shpijat qysh janë ça e sene. KPMM-ja merr vendim që pa marrë parasysh a i duhet a s’i duhet mihjes duhet me i shpronësu. Në KPMM kryetari i bordit del Basholli, Habib Basholli, mbrëmë kam nejt me të, dy orë mbrëmë kam nejt me ta edhe unë në qet drejtim s’jam t
u u ndal. Na të mërkurën po mendojmë që kemi me emëru bordin e KPMM-së, si të emërohet bordi i KPMM-së ata ja nisin sulm, mos e keni gajle. Njerëzit tanë i kem (nuk kuptohet) na e kemi shqyrtu edhe analizu edhe me drejtorin, e vetmja mundësi është me na dhanë KPMM-ja urdhër se KPMM-ja nuk jep këshilla, KPMM-ja thotë “urdhër e ki, për me marr licencën duhet qeta, qeta, qeta, qeshtu me e ba edhe ditën e mirë. Në KPMM i kemi njerëzit tanë, i shtyna do sene, s’kanë qare” – ka deklaruar Thaçi.