Live

Publikohen raportet e audituara financiare të partive politike, LVV’së i rritet pasuria për më shumë se gjysmë milioni

14:48 / 19 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Një raport auditimi i përgatitur nga auditori i pavarur që është përzgjedhur nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), për Lëvizjen Vetëvendosje ka dhënë opinionet e tyre në gjetjet si vijojnë: Mungesa e dokumentacionit të rregullt në disa raste të shpenzimeve dhe Mosdeponimi i të hyrave nga anëtarësimet në llogarinë bankare.

Gjatë auditimit të kryer, është konstatuar për disa raste të blerjeve të shpenzimeve ku është pranuar vetëm kupona fiskal dhe nuk ka dokumentacion relevant mbështetës.

“Gjatë auditimit tonë ne kemi konstatuar që për disa raste të blerjeve të shpënzimeve SP ka pranuar vetem kupona fiskal dhe nuk ka dokumentacion relevant mbështetës, që do të mund të arsyetonin dhe mbështesnin shpënzimet e ndodhura, gjithashtu është vërejtur se ka raste kur faturat e shpenzimeve nuk janë të lëshuara në emër të subjektit politik, por në emër të anëtarëve apo menaxhmentit. Kjo praktikë bie ndesh me kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi, të cilat kërkojnë që shpenzimet e subjektit politik të jenë të dokumentuara me fatura të rregullta dhe të lëshuara në emër të vetë subjektit”, thuhet ndër të tjera në raport.

“2. Mosdeponimi i të hyrave nga anëtarësimet në llogarinë bankare
Gjatë shqyrtimit financiar u konstatua se në vitin 2024, subjekti politik ka pranuar 493.50 euro nga anëtarësimet në para të gatshme, të cilat nuk janë derdhur në llogarinë bankare. Edhe pse kjo shumë përfaqëson vetëm 0.03% të të hyrave të përgjithshme, veprimi bie ndesh me kërkesat e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 08/L-122, me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058 si dhe Rregullorja Nr. 06/2024 për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen Financiare të Subjekteve Politike, që obligojnë subjektet politike të kryejnë të gjitha transaksionet përmes llogarisë së vetme bankare dhe të deponojnë të hyrat në para të gatshme brenda 5 ditësh nga pranimi”, thuhet në raport.

Ndryshe, sipas raportit Lëvizja Vetëvendosje gjatë vitit 2024 ka pasur të hyra 2 milionë e 337 mijë e 168 euro dhe ka shpenzuar 1 milion e 805 mijë e 296 euro.

Tek pasqyra e pozitës financiare, kjo parti ka rritje të konsiderueshme prej më shumë se 500 mijë euro.

Shpërndaje në

U Kopjua