Live

Qeveria del me sqarim: Nga 100 euro janë ndarë vetëm për rastet e ankesave dhe gabimeve, jo për të gjithë

14:13 / 24 Maj 2023

Nga Kosova Live

Qeveria e Kosovës ka dalë me sqarim lidhur me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndarjen e mjeteve buxhetore në kuadër të masës 3.6 të Pakos për Ringjallje Ekonomike.

Lidhur me këtë, Qeveria ka sqaruar se nuk janë ndarë 100 euro shtesë për zyrtarët publikë, por se 32 mijë euro janë ndarë për rastet e ankesave dhe gabimeve për punëtorët e Ndërmarrjeve Publike për masën 3.6.

“Sqarim në lidhje me keqraportimin se Qeveria ka ndarë 100 euro shtesë për zyrtarët publikë. Në mbledhjen e sotme nuk ka pasur një vendim të tillë. Sot janë ndarë vetëm mjetet shtesë prej 32 mijë euro për rastet e ankesave dhe gabimeve për punëtorët e ndërmarrjeve publike për masën 3.6, e cila ishte ekzekutuar në vitin e kaluar në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike. Ftojmë të gjitha ato medie që të përmirësojnë lajmin e dhënë.”, ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë gjithashtu vendim lidhur me mbështetjen e bizneseve private që rrisin pagat e punëtorëve në shumën prej 100 euro.

Për çdo biznes që rrit pagën e punëtorit prej 100 euro, Qeveria do t’ia subvencionojë 50 përqind të shumës për 3 muajt e parë.

Shpërndaje në

U Kopjua