Live

Qeveria Kroate miraton ligjin e varrezave – monumentet që lavdërojnë agresionin serb do hiqen

12:27 / 02 Maj 2025

Nga Kosova Live

Me një shumicë votash, deputetët në Zagreb kanë miratuar të mërkurën një legjislacion të ri, që detyron heqjen e mbishkrimeve përkujtimore të ngritura gjatë luftës së viteve 1991-1995, nëse ato kundërshtojnë rendin kushtetues apo konsiderohen ofenduese ndaj qytetarëve.

Ligji i ri, i quajtur “Ligji i Varrezave”, zëvendëson një politikë mbi dy dekada të vjetër dhe synon pastrimin e varrezave nga çdo simbolikë që mund të nxisë tensione.

Sipas Ministrisë së Planifikimit Fizik, Ndërtimit dhe Pasurive Shtetërore, ligji i ri ndalon mbishkrimet e bëra gjatë ‘okupimit dhe reintegrimit paqësor’ që përmbajnë simbolika që mund të fyejnë moralin dhe ndjenjat e qytetarëve.

Ligji synon në mënyrë specifike monumentet e ngritura pas 30 majit 1990, kur Kroacia nisi hapat drejt pavarësisë nga Jugosllavia. Ai përfshin edhe monumente si mauzoleu i Vukashin Shoshkocanin në Borovo Selo, që lavdëron figurat që udhëhoqën agresionin serb.

“Po sjellim një ligj të ri pas 27 vitesh, pasi Ligji ekzistues për Varrezat nuk i përshtatet më kohës së sotme”, kishte thënë atëherë ministri Branko Bačić gjatë mbledhjes së kabinetit.

Ai shtoi se pas okupimit të disa pjesëve të Kroacisë gjatë Luftës së Atdheut, në disa varreza mbetën monumente dhe pllaka me mbishkrime të papërshtatshme që bien ndesh me rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit.

Heqja e monumenteve duhet të bëhet brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit.

Individët mund të raportojnë për monumentet që bien ndesh me ligjin, ndërsa komisionet rajonale do të marrin vendimin për përputhshmërinë e tyre.

Në rast mosveprimi, largimi i pllakave do të bëhet nga autoritetet, ndërsa pronarët do të gjobiten nga 1,000 deri në 5,000 euro.

Po ashtu, për herë të parë me këtë ligj rregullohet statusi i varrezave të mbrojtësve të rënë në luftë, që do të jenë nën përkujdesjen e Ministrisë së Veteranëve.

Shpërndaje në

U Kopjua