Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është votuar Programi Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.
Kryeministri Kurti tha se ky program është hartuar nga Ministria e Mbrojtjes. Ai shtoi se programi bazuar në sistemet që aplikohen në vende të ndryshme anëtare të NATO’s.
“Bazuar në programin tonë qeverisës, ndryshimeve në ambientin strategjik të sigurisë dhe me qëllim të forcimit të sistemit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar programin kombëtar për mbrojtjen gjithëpërfshirëse të Republikës së Kosovës. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, konvencionale dhe jokonvencionale si dhe ruajtja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve në raste të fatkeqësisë natyrore janë interesa jetike të Republikës së Kosovës. Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse është hartuar duke marrë për bazë sistemet të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme anëtare të NATO’s dhe mundëson që institucionet qendrore e lokale, veçanërisht qytetarët e Republikës si dhe organizatat e ndryshme joqeveritare të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe të sigurisë së vendit tonë. Ky program synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në vendin tonë në mënyrë që shoqëria jonë të përgatitet të rezistojë, të reagojë dhe të rimëkëmbët në raste të fatkeqësive natyrore apo sulmeve të armatosura. Sistemi ka në thelb mbështetjen që qytetarët japin në baza vullnetare ushtrisë sonë, FSK’së, por edhe të kombinuar me strukturat tjera shtetërore”, ka thënë Kurti.
Për këtë program dha detaje ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Institucionet e sigurisë dhe të mbrojtjes do të veprojnë në konceptin strategjik të mbrojtjes që ka për qëllim bashkëpunimin e ngushtë mes autoriteteve ushtarake, atyre të sigurisë, të informacionit dhe civile në kohë paqeje, situate emergjente, krize apo lufte duke siguruar orientimin e të gjitha kapaciteteve në dispozicion për mbrojtjen e interesave të vendit”, tha ai.
Maqedonci tha se ky program bazohet në shtatë shtylla kryesore:
- Funksionimin shtetëror në rast të krizave;
- Organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit;
- Mbajtjen e funksioneve vitale dhe shërbimeve esenciale të shtetit;
- Qëndrueshmërinë shoqërore;
- Qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetëore;
- Mbrojtjen e hapësirës së informacionit;
- Edukimi i të rinjve dhe të rejave.
Maqedonci shtoi se ky sistem nuk ndërhyn në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Ksoovës bazuar në planin gjithpërfshirës të tranzicionit, por mundëson që qytetarët vullnetarisht të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë.