Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA. Në një komunikim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se kontrata sipas tij “është dëshmi se selia blu është vënë në funksion të hallit të bufit të kënetës”.
“Kanë grumbulluar 6 milionë dollarë për të pastruar damkën nga balli i bufit të kënetës. Po pse duheshin këto 6 milionë, nëse kjo ishte damka e një komploti të Sorosit me mua?”, u shpreh Rama.
Nga kjo shumë parash sipas Ramës ka pjesën e tij dhe drejtuesi amerikan i fushatës së Partisë Demokratike që e ka pagëzuar me emrin Latif. “Pjesë e zjarrit patriotik është edhe sjellja e Latifit në Tiranë për t’i vënë kapelen bufit në kokë. Domethënë, për të dhënë një kapelë në kokë, që të duket si Trumpi, por versioni më qesharak i mundshëm”, tha Rama.
Sipas Ramës, lobimi i PD-së mbështetet edhe nga përhapja e informacionit të rremë përmes mediave, duke iu referuar një lajmi të përgënjeshtruar nga Richard Grenell dhe Donald Trump Jr., lidhur me një mbështetje të supozuar për PD-në.
“E kuptoni se në çfarë lloj marrëzie ju ka futur bufi”, deklaroi Rama.
Kryeministri siguroi se personalisht nuk ka kryer asnjë pagesë për lobim në SHBA. “Jo që unë nuk kam paguar asnjë kokërr leku se po të kisha paguar do dihej, se do deklaroheshin. Nuk kam lekë të padeklaruara unë”, u shpreh ai.