Live

Raporti: Mbi 1000 sirianë vdiqën në një burg në aeroport nën regjimin e Asadit

23:47 / 27 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Më shumë se 1,000 sirianë vdiqën në një burg të ngritur brenda një aeroporti ushtarak në periferi të Damaskut.

Ata u ekzekutuan, u torturuan deri në vdekje apo u lanë të vdesin nga uria, në një vendndodhje të njohur për mizoritë, e që kishte ngjallur një frikë të gjerë publike.

Të gjitha këto janë pjesë e një raporti të publikuar të enjten, për përpilimin e së cilit janë hetuar motivet se si kanë vdekur personat, trupat e pajetë të të cilëve janë gjetur në shtatë varre të ndryshme.

Sipas raportit të Qendrës siriane për Drejtësisë dhe Llogaridhënie, të siguruar ekskluzivisht nga agjencia e lajmeve ‘Reuters’, thuhet se gjetja e varreve u bë duke përdorur një kombinim të dëshmive, imazheve satelitore dhe dokumenteve të fotografuara në aeroportin ushtarak në periferi të Damaskut, në Mezzeh, pas rrëzimit nga pushteti të ish-Presidentit Bashar al-Assad në muajin dhjetor.

Disa nga vendvarrimet ishin në aeroport. Të tjera përtej Damaskut.

Agjencia ‘Reuters’ nuk i ka shqyrtuar dokumentet dhe nuk ka arritur ende të konfirmojë në mënyrë të pavarur ekzistencën e varrezave masive përmes rishikimit të imazheve satelitore. Por në imazhet e shumë prej vendondhjeve të shënjuara nga organizata gazetarët e agjencisë panë shenja gërmimesh në tokë.

Dy nga vendet, një në aeroport dhe një tjetër në një varrezë në Najha, tregojnë shenja të qarta llogoresh të tëra të gërmuara që përputhen me peirudhën kur janëmarrë dëshmitë nga organizata.

Shadi Haroun, një nga autorët e raportit, tha se ai ishte në mesin e personave që mbahej I burgosur. Ai qëndroi aty për disa muaj nga viti 2011 në 2012 i akuzuar për organizim protestash. Sipas zotiy Haroun, ai merrej në pyetje përditë, torturohej fizikish dhe psikologjikisht, e i kërkohej të rrëfente gjëra që nuk i kishte bërë.

Vdekjet vinin në shumë forma, tha ai për agjencinë ‘Reuters’.

Megjithëse të arrestuarit nuk shihnin asgjë përveç mureve të qelisë së tyre apo dhomës ku marreshin në pyetje, ata mund të dëgjonin “të shtëna armësh çdo dy ditë”.

Plagët e shkaktuara nga torturat ishin një tjetër arsye se pse të burgosurit humbin jetën.

Një plagë e vogël në këmbën e një prej të arrestuarve, shkaktuar nga një kamxhik, u la e pasterilizuar e trajtuar për ditë të tëra. Gradualisht plaga u shndërrua në gangrenë dhe gjendja e tij u përkeqësua derisa arriti në pikën që i duhej prerë e gjithë këmba”, tha zoti Haroun, duke përshkruar gjendjen e vështirë të një prej bashkëvujtësve të tij me të cilin ndante një qeli.

Po kështu Qendra siriane për Drejtësisë dhe Llogaridhënie si dhe Shoqata për Personat e Paraburgosur dhe të Zhdukur në Burgun Sednaya, intervistuan 156 të mbijetuar dhe tetë ish-anëtarë të zbulimit të forcave ajrore, shërbimit sirian të sigurisë që kishte për detyrë mbikëqyrjen, burgosjen dhe vrasjen e kritikëve të regjimit.

Qeveria e re ka nxjerrë një dekret që ndalon ish-zyrtarët e regjimit të flasin publikisht dhe nuk përcaktoi askënd për të komentuar mbi gjetjet e raportit.

Shpërndaje në

U Kopjua