Rreth një javë pas raportimit të fundit për një kërcënim me jetë drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të cilin ajo e kishte pranuar përmes adresës elektronike zyrtare të Presidencës, ende nuk ka zhvillime konkrete në këtë drejtim nga organet e drejtësisë.
Këshilltari për media i presidentes Bekim Kupina ka thënë për Klankosova.tv se Policia e Kosovës ka konfirmuar sot se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror për të trajtuar këtë rast.
Ai mes tjerash deklaroi se Osmani është përballur me dhjetëra kërcënime gjatë muajve të fundit shumë prej të cilave janë bërë publikisht, pa u fshehur identitetet e autorëve.
“Është shqetësuese të mos ketë një reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, ngase kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetem me kompetenca të plota”.
Megjithatë, deri më tani, nuk është arrestuar asnjë person në lidhje me këto kërcënime.