Live

Rasti Thaçi dhe të tjerët: Çfarë përmban vendimi i Speciales për dokumentet nga Zona e Shalës dhe Karadakut?

16:19 / 22 Mars 2025

Nga Kosova Live

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për pranimin në prova materiale të disa dokumenteve që pretendohet që janë nga Zona Operative e Shalës dhe Karadakut.

Ky vendim është marrë më 4 mars 2025 dhe rrjedhë nga një mocion i ZPS-së për pranimin e këtyre dokumenteve.

Kërkesa e ZPS-së ishte paraqitur më 24 korrik 2024 ndërsa me 30 gusht ishte përgjigjur mbrojtja në kërkesë e që kundërpërgjigja e ZPS-së ishte parashtruar me 9 shtator.

Në kërkesën e saj, ZPS-ja thoshte se dokumentet e kërkuara për pranim në prova materiale janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lidhen kryesisht me këto dy zona operative, raporton

Në parashtrimin e saj, Prokuroria ka thënë se këto dokumente plotësojnë dokumente të tjera të prezantuara në proces si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, janë relevante dhe autentike si dhe kanë vlerë dëshmuese.

Ndërsa, mbrojtja ishte përgjigjur se ZPS-ja nuk e ka përmbushur obligimin e saj për të paraqitur materialet me vlerë më të lartë dëshmuese në regjistrin e provave dhe si rrjedhojë kjo kontribuon në madhësinë e regjistrit të provave. Si rrjedhojë, mbrojtja ka thënë se kjo mund të dikojë negativisht në procedura dhe te pengojë përshpejtimin e tyre.

Për më tepër, mbrojtja ka kundërshtuar pranimin e dëshmive të propozuara nga Prokuroria duke thënë se relevanca e tyre nuk është e dukshme, s’janë autentike dhe se ato duhet të verifikohen përmes dëshmitarëve.

Veç kësaj, mbrojtja ka thënë se Paneli duhet të marrë parasysh kundërshtimet e mbrojtjes në lidhje me dokumentet e propozuara që janë sekuestruar nga shtëpia e Rexhep Selimit e po ashtu disa dëshmi sipas mbrojtjes kanë lidhje të dobët më faktet dhe rrethanat e pretenduara në aktakuzë.

Sipas mbrojtjes, ZPS-ja po përpiqet të përcaktojë rëndësinë e një dokumenti përmes interferencave dhe se ata mund të dëmtohen nga pranimi i këtyre dokumenteve për shkak se ZPS-ja nuk ka identifikuar dëshmitarë specifikë që mund ta sfidojë përmbajtjen e provave në fjalë.

Ndërsa, ZPS-ja është kundërpërgjigjur se mbrojtja po e keqinterpreton kërkesën dhe se po përsëriten kundërshtimet e mëparshme që tashme janë shqyrtuar dhe refuzuar nga Paneli i gjyqtareve.

ZPS-ja fillimisht kishte propozuar dokumente nga Zona Operative e Shalës nga 1 deri në 28. Sipas paneli, dokumentet nga 1 deri në 4 përbëhen nga dokumente që përmbajnë lista ushtarësh, plane trajnimi dhe një kërkesë për të marrë pjesë në trajnimet e njësisë speciale.

Për dokumentin e propozuar që është i pesti më radhë, paneli ka thënë se është rregullore e shërbimit të UÇK-së.

Për dokumentin 6, paneli ka vërejtur se janë koleksione letrash lehtësimi për dhënien e naftës dhe benzinës. Ndërsa dokumenti pasues dhe ata 11 dhe 12 janë orare të rojeve dhe oficerëve të shërbimit.

Për dokumentin 8, vendimi thotë së është i Shtabit Operativ të UÇK-së në Qyqavicë me një listë emrash të personave që do të udhëtimi për në Gllogjan për të marrë armë.

Dokumenti 9 dhe ai 23 përbehen nga urdhra të UÇK-së për çështje ushtarake nga Komandanti i Zonës Operative të Shalës dhe për çështje civile nga komandanti i Shtabit Lokal të Qyqavicës. Dokumentet 10, 17, 18, 20, 21, 22 dhe 25 sipas vendimit janë shënime dore si dhe shënime të shtypura si raporte, ditarë etj.

Dokumenti 13 është një fjalim i dorës së parë i zëvendëskomandantit për logjistikën në Zonën e Shalës. Ndërsa dokumenti i radhës është i nënshkruar nga një komandant që jep autorizim për kryerjen e disa punimeve riparuese.

Dokumenti i 15 sipas vendimit është një fotografi dhe një deklaratë e një ushtari që pranon të bashkohet në UÇK. Kurse dokumenti i radhës është listë e anëtareve të batalioneve të brigadës “Mehë Uka” dhe një liste e shtëpive që janë djegur. Kurse dokumenti i 19 është kërkesë e brigadës 141 “Mehë Uka” drejtuar komandës së Zonës Operative të Shalës.

Veç tyre, në këtë sesion është edhe dokumenti i 28-të i cili sipas vendimit është një kërkesë e një anëtari të UÇK-së që bënë kërkesë tek Komanda e ZO të Shalës për të mbetur oficer. Ndërsa, dokumenti 24 është leje udhëtimi i lëshuar nga Shtabi i Batalionit 4 i brigadës 141. Kurse, dokumentet 26 dhe 27 janë lista të policisë ushtarake të UÇK-së.

Si rrjedhojë, paneli ka vërejtur se ZPS-ja mbështetet në këto dokumente për të demonstruar se UÇK-ja regjistronte dhe trajnonte ushtarë, organizonte oficerë shërbimi dhe orare për roje, kontrollonte lëvizje duke përfshirë edhe pikat e kontrollit, zbatonte disiplinë dhe ndërmerrte masa disiplinore si dhe grumbullonte informacione dhe hartonte lista të personave të kërkuar.

Veç kësaj, ZPS-ja në këto dokumente përpiqe të demonstrojë autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm, strukturën, logjistikën përgjegjësinë kriminale si dhe se personat e dyshuar dhe kundërshtarët e UÇK-së ishin targëtuar, arrestuar, ndaluar de keqtrajtuar në lokacione të ndryshme në Zonën e Shalës dhe janë transferuar në zona tjera.

Paneli tha se dokumentet e propozuara janë mjaftueshëm të ndërlidhura me faktet dhe rrethanat në aktakuzë dhe se këto dokumente janë të rëndësishme.

Ndërsa, për dokumentin 13 Paneli ka thënë se ZPS-ja nuk ka arritur ta dëshmojë autenticitetin e tij për arsye se i pari është i panënshkruar, pa datë, dhe pa vulë. Po ashtu i njëjti dokument nuk dihet nga kush është hartuar . ndërsa, dokumenti 17 ashtu s i ai 18 janë të datuara, por të panënshkruar dhe pa shenjë që nuk dihet se kush i ka hartuar.

Për dokumentet 1 deri në 12, 14 deri në 16 dhe 19 deri ne 28, sipas vendimit ZPS-ja ka arritur ta dëshmojë autenticitetin primar të tyre pasi dokumentet mbajnë data, janë të nënshkruara, kanë emër autori, kanë logo të UÇK-së ose edhe disa prej tyre janë sekuestruar nga shtëpia e Selimit. Si rrjedhojë, paneli ka gjetur se në parim këto dokumente janë autentike dhe kanë vlerë provuese.

Nga këto dokumente, paneli ka refuzuar vetëm ato 13, 17 dhe 18 ndërsa të tjerat i ka pranuar në prova materiale.

Në anën tjetër, ZPS-ja ka paraqitur për pranim në prova materiale dhjetë dokumente për Zonën Operative të Karadkut.

Kërkesën e ZPS-së për pranimin e dokumenteve 1, 5, 8 dhe 9, paneli e ka quajtur të pavlefshme pasi këto prova janë pranuar më herët.

Ndërsa, për dokumentin 2 paneli ka vërejtur se është nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës ndërsa ai i radhës një njoftim pranimi dhe një leje pushimi.

Për dokumentin e 4, ZPS-ja pretendon se është një shabllon i Zonës së Karadakut për dhënien e armëve. Kurse dokumentet 6 dhe 7 janë urdhra të Komandantit të Zonës së Karadakut. Ndërsa, dokumenti i fundit është raport ushtarak i shkruar me dorë që flet për ngjarje që kanë ndodhur në këtë zonë në fund të 99-ës.

Sipas vendimit, këto dokumente demonstrojnë se çështje organizative dhe logjistike që kishin dal në këtë Zonë ishin adresuar në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Po ashtu, thuhet se këto dokumente demonstrojnë bashkëpunimin e ngushtë të kësaj zone me Zonën e Llapit.

Në anën tjetër, sipas vendimit dokumentet tregojnë se deri në prill të 99-ës, Zona e Karadakut kishte polici ushtarake dhe kishte themeluar brigadën 171 ndërsa deri me 19 dhe 20 qershor 1999 kjo Zonë kishte filluar që të mbledhë armë nga serbet dhe shqiptarët.

Po ashtu thuhet se Komandanti i Zonës së Karadakut kishte dhënë urdhra të shkruar për njerëzit që të raportonin te Komanda e Karadakut.

Sipas dokumenteve, siç thuhet në vendim, kjo zonë kontrollonte struktura komunale të Qeverisë së Përkohshme, shërbime publike, komunale dhe administratore.

Ahmet Isufi si komandant i kësaj zone, kishte lëshuar urdhra që ndalonin marrëveshje me palën serbe, KFOR-in ose çdo palë tjetër, gjithnjë sipas vendimit.

Kjo zonë, mbante orare trajnimi, materiale, dokumente të policisë ushtarake dhe regjistra të personave që nuk konsideroheshin besnik ndaj UÇK-së.

Veç kësaj, thuhet se kjo komandë emëroi komandantë dhe krijoi pika të paligjshme të UcK-së, stacione policie dhe baza në zonat nën kontrollin e saj. Ndërsa, në mes qershorit dhe fundit të korrikut 1999, anëtaret e UÇK-së kanë arrestuar, keqtrajtuar dhe vrarë persona të dyshuar si bashkëpunëtorë dhe kundërshtarë të perceptuar duke përfshirë edhe viktima pjesëmarrëse në këtë proces në Hagë.

Madje këto dokumente thuhet se tregojnë që një komandant i policisë ushtarake të kësaj zone raportoi në Shtabin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Rendit Publik të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës për një bastisje të një konvikti në Gjilan dhe arrestimin e disa ushtarëve të UÇK-së nga KFOR-i.

Për dokumentet në 2-4, 6-7 dhe 10, paneli ka thënë se ndërlidhen me faktet dhe rrethanat në aktakuzë, janë autentike dhe kanë vlerë provuese. Gjithashtu theksohet se disa prej tyre janë sekuestruar nga shtëpia e Rexhep Selimit.

Si rrjedhojë, dokumentet në fjalë i pranoi në prova materiale.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep SelimitdheJakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Shpërndaje në

U Kopjua