Live

Reagon Ademi për stadiumin e Gjilanit dhe Mitrovicës: Kjo fundjavë nisi me dy lajme të mrekullueshme

14:32 / 16 Shtator 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se kjo fundjavë nisi me dy lajme të mira për futbollin kosovar.

Ai potencoi se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka nxjerrë vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Renovimi dhe Rikonfigurimi i Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

“Ky vendim tashmë i hap rrugën rifillimit të punimeve në stadiumin ku u zhvillua ndeshja e parë ndërkombëtare nën ombrellën e FIFA-s, Kosova – Haiti, në mënyrë që ai të rikthehet në një impiant modern, ashtu edhe siç e meriton”.

Ndërkaq, ai theksoi se sot u finalizua projekti për stadiumin e qytetit të Gjilanit.

“Ndërkaq, sot ministri i Sportit, Hajrulla Çeku Hajrulla Çeku dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni kanë nënshkruar marrëveshjen për finalizimin e projektit të stadiumit të qytetit në Gjilan, me një fond prej 15 milionë euro”

“Me këtë rast përgëzoj ministrin Çeku për fillimin e investimeve në futboll dhe rifillimin e punës në ndërtimin e stadiumit në Gjilan”..

Ai beson që ky projekt do të vazhdojë sipas planit dhe projektit për investime në futboll në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës.

“Njëherësh uroj kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hysenin, futbollistët të cilët do ta kenë në shfrytëzim këtë stadium dhe publikun e gjerë gjilanas, të cilët në të ardhmen do të kenë një komoditet të lartë në stadium për ndjekjen e skuadrave të tyre të zemrës”.

Shpërndaje në

U Kopjua