Live

Reagon Liza Gashi: Nuk jam subjekt as palë në aktakuzën ndaj Ministrit Damka

20:14 / 04 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, njëherëshë zëvendësministre në detyrë e Punëve të Jashtme ka thënë se nuk është subjekt e as palë në aktakuzën ndaj ministrit Fikrim Damka.

Gashi përmes një postimi ka reaguar ndaj Periskopit në lidhje me publikimin e artikullit që ka të bëjë me ngritjen e aktakuzës ndaj Ministrit Fikrim Damka, dhe sekretarit të përgjithshëm i MZHR-së, Besim Kamberaj, të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“Sot, disa media dhe portale kanë publikuar lajme me tituj senzacionalistë, të pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse e fyese, duke përdorur emrin dhe fotografinë time në një të ashtuquajtur “skandal milionësh”, me synim të qartë dëmtimin e imazhit tim personal dhe profesional. Për të shmangur çdo keqkuptim: Unë, Liza Gashi, nuk jam subjekt dhe as palë në asnjë proces gjyqësor që ka të bëjë me këtë çështje”.

“Që nga viti 2020, nuk kam ushtruar asnjë funksion apo rol në organizatën GERMIN, në asnjë kapacitet. Po ashtu, nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë memorandumi të nënshkruar me CARITAS-in, as në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, as si Zëvendësministre dhe as në ndonjë kapacitet tjetër”, ka shkruar ajo.

Artikulli në fjalë, në asnjë rast nuk pretendon se Gashi është subjekt i aktakuzës, por vetëm shpërfaq faktin se zv. Ministrja në detyrë është themeluese dhe ka qenë ish-drejtoreshë ekzekutive e njërës prej organizatave që dyshohet se kanë përfituar jashtëligjshëm nga buxheti i shtetit.

Në fund të reagimit, Liza Gashi paralajmëron se në rast se mediumi nuk plotëson kërkesën e saj “në të kundërtën, kam autorizuar avokatin tim të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe imazhit tim“.

“Për këtë arsye, kërkoj nga të gjitha mediat dhe portalet që kanë publikuar apo shpërndarë këtë lajm të pavërtetë, të bëjnë demantimin e menjëhershëm dhe kërkim-faljen publike. Në të kundërtën, kam autorizuar avokatin tim të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe imazhit tim”, ka shkruar ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua