Live

Republikanët lëshojnë pe, Senati miraton pakon e ndihmave 95.3 miliardë dollarësh

13:51 / 13 Shkurt 2024

Nga Kosova Live

Senati amerikan ka miratuar pakon e ndihmave në vlerë prej 95.3 miliardë dollarëve për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin pas disa muajsh bisedime të vështira dhe ndasive të thella politike në Partinë Republikane për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në punët e jashtme, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Miratimi i pakos është bërë pasi një grup i republikanëve kundërshtuan ndihmat prej 60 miliardë dollarëve për Ukrainën, duke insistuar se SHBA-ja duhet të përqendrohet në problemet e veta, para se të dërgojë para diku tjetër.

Përkrahësit e pakos në Senat kanë thënë se braktisja e Ukrainës mund ta forconte presidentin rus Vladimir Putin dhe do të kërcënonte sigurinë kombëtare përreth botës.

“Me këtë ligj, Senati deklaron se lidershipi amerikan është i palëkundur, nuk do të bjerë dhe nuk do të dështojë”, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, i cili punoi me liderin e republikanëve Mitch McConnell.

Miratimi i pakos nga Senati është shenjë e mirë për Ukrainën në kohën kur është raportuar se ka mbetur pa armatim në fushën e betejës.

Shpërndaje në

U Kopjua