Përfshirja ushtarake amerikane në rezistencën ukrainase kundër pushtimit rus, duke filluar nga 24 shkurt 2022, ishte masive dhe me të vërtetë jetike që në fillim.
Nuk është e çuditshme që edhe sot, Volodimir Zelenski përsërit se “pa ndihmën amerikane do ta humbnim luftën”.
Një hetim i gjatë dhe i thelluar nga “New York Times” detajon dhe rrëfen, siç nuk është bërë kurrë deri tani, qendrën e aleancës së SHBA-ve për Kievin.
Një aleancë që nuk përbëhet vetëm nga topa, raketa “Himars” apo “Atacms”, por edhe këshilla inteligjente, strategjike dhe taktike.
Në çdo fazë të konfliktit, Pentagoni ishte vërtet “vëllai i madh” i gjeneralëve ukrainas, shumë prej të cilëve u trajnuan në akademitë e vjetra ushtarake sovjetike.
Historia nxjerr në pah edhe ndarjet serioze të brendshme në Ukrainë, përplasjen “kokë më kokë” midis Zelenskit dhe ish-shefit të tij të shtabit, gjeneralit Valery Zaluzhni, aq sa ky i fundit u shkarkua në shkurt të vitit 2023.
Ndarje, të cilat në çdo rast duket se kanë minuar efikasitetin e Ukrainës dhe madje edhe efektet e kontributit të SHBA.
5 pikat më të rëndësishme të investigimit
1).Ndihma amerikane duhej të ishte një kundërpeshë e epërsisë ruse për sa i përket numrit të ushtarëve dhe armëve.
Për ta bërë këtë, Pentagoni formoi Task Forcën “Dragon”, e cila kishte selinë në bazën amerikane në Ëiesbaden, Gjermani.
Çdo mëngjes, oficerët e tij kishin për detyrë t’u siguronin ukrainasve objektivat për të goditur sipas prioritetit.
Amerikanët siguruan gjithashtu koordinata GPS, imazhe, detaje logjistike dhe përgjime të komunikimeve ruse.
2).Roli themelor i artilerisë amerikane dhe veçanërisht i sistemeve të raketave “Himars”, të cilat drejtoheshin me satelit, mundën të shkatërronin menjëherë forcat sulmuese ruse së bashku me qendrat e tyre komanduese.
3).Administrata Biden u përpoq gjithmonë të vendoste vija të kuqe për të kufizuar ndërhyrjen e saj. Uashingtoni këmbënguli se nuk po sulmonte Rusinë, por donte të ndihmonte Ukrainën të mbrohej.
Biden ka dashur gjithmonë të shmangë konfrontimin e drejtpërdrejtë me Putinin dhe mbi të gjitha, mes NATO-s dhe rusëve.
Por më pas, me kalimin e kohës, vijat e kuqe u kaluan dhe, për shembull, këshilltarët ushtarakë amerikanë u lejuan të qëndronin në tokën ukrainase.
Amerikanët gjithashtu kaluan informacione për forcat ruse në Krime dhe lehtësuan sulmet me dronë ukrainas mbi anijet ruse në portin e Sevastopolit.
Në të vërtetë, amerikanët fillimisht nuk donin që ukrainasit të fundosnin anijen “Moskva” më 12 prill 2022, e cila ishte flamuri i Flotës ruse të Detit të Zi.
Në janar 2024, me Operacionin “Lunar Hail”, amerikanët i detyruan rusët të zhvendosnin pajisjet e tyre të rënda nga bazat e tyre në Krime.
Linja e frontit
4).Një vijë tjetër e kuqe u prish kur, për të mbrojtur Kharkivin në pranverën e vitit 2024, ku amerikanët lejuan ukrainasit të qëllonin mbi bazat në territorin rus.
Më pas, u siguruan koordinatat e bazave të trupave të Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut. Në fund, ukrainasit arritën të godasin bazat e kontingjenteve ruse që sulmonin në Donbass.
5).Rivalitetet e brendshme ukrainase ishin të copëtuara dhe aq serioze sa ndërhynin në ndihmën e SHBA-së.
Përplasja më e rëndë ishte midis Zelenskit dhe Zaluzhnit. Në verën e vitit 2023, kundërofensiva e shumëpritur ukrainase u koordinua midis Zaluzhnit dhe amerikanëve për të sulmuar qytetin e Melitopolit.
Një operacion që synonte të ndante zemrën e pushtimit rus në zonat jugore të vendit në dy pjesë dhe më pas të çlironte edhe Mariupolin.
Por, edhe atëherë Zelenski po mbështeste numrin dy të ushtrisë, gjeneralin Oleksandr Syrsky, me qëllimin për të shkarkuar Zaluzhnin shumë popullor në vend.
Syrsky më pas donte të përqendronte përpjekjet e tij në qytetin e rrethuar të Bakhmutit. Rivaliteti midis Zaluzhnit dhe Syrsky-t, u shfaq përfundimisht në vitin 2024: Zaluzhni është më i ri, i ashpër në mënyrat e tij dhe shpesh ka qenë në kundërshtim me amerikanët, por ai është shumë i dashur nga trupat.
Syrskyi është më i vjetër, ka pasur përvoja të ndryshme profesionale në Rusi (aq sa Zaluzhny e quajti “gjenerali rus”, sepse fliste rusisht në takime), por me kalimin e kohës ai ka mundur të sjellë në krah Presidentin Zelensky.
Në fund ky i fundit fitoi dhe në shkurt 2024 u emërua komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Përfundimisht ndarja e forcave shkaktoi dështimin e ofensivës. Pastaj Syrsky mori drejtimin nga Zaluzhni.
Por që nga vera e vitit 2023, marrëdhëniet mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas janë bërë shumë më të ftohta.
Artikulli i “NYT”, nuk flet për atë që ndodhi pas mbërritjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, por bën të qartë se bashkëpunimi është ulur ndjeshëm, siç tregojnë ngjarjet e muajve të fundit.