Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se trupat shqiptare, bullgare, greke dhe rumune nga Rezervat Operacionale kanë nisur dislokimin e tyre në mbështetje të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Sipas njoftimit, këto përforcime, bashkim e trupat e KFOR-it rrisin aftësinë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës të situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e tij.
“Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale Shumëkombëshe (ORF) ka marrë përsipër nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale Turke, në përputhje me një plan të rotacionit të forcave të mbikëqyrura nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli. Batalioni ka një forcë prej rreth 270 ushtarësh dhe do të operojë në mënyrë të përkohshme, së bashku me 200 forcat rezervë tashmë të dislokuara nga brigada italiane ‘Sassari’”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
KFOR-i tha se vazhdon të kontribuojë për një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.