Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, tha të dielën se një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës duhet të arrihet së shpejti, duke shtuar se administrata Trump do ta kalojë javën e ardhshme duke u përpjekur të përcaktojë nëse do të vazhdojë si ndërmjetës.
“Duhet të ndodhë së shpejti. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i kushtojmë kohë dhe burime kësaj përpjekjeje nëse nuk do të ketë sukses”, tha Rubio në programin “Meet the Press” të NBC-së.
“Kjo javë do të jetë një javë vërtet e rëndësishme në të cilën duhet të vendosim nëse kjo është një përpjekje në të cilën nuk duam të vazhdojmë të përfshihemi, apo nëse është koha të përqendrohemi në disa çështje të tjera”, tha ai.
Rubio foli një ditë pasi presidenti Donald Trump dhe udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky u takuan në Romë gjatë funeralit të Papa Françeskut për të ringjallur përpjekjet e lëkundura për t’i dhënë fund luftës së Rusisë me Ukrainën.
Zelensky tha se takimi mund të jetë historik nëse sjell llojin e paqes që ai shpreson, dhe një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e quajti atë “shumë produktiv”.
Rubio tha se Uashingtoni ka shtyrë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për të lejuar që diplomacia të funksionojë, por paralajmëroi se Trump ka mundësi për t’u marrë me çdo palë që i reziston një marrëveshjeje paqeje.