Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi të martën që Rusia dhe Ukraina të paraqesin propozime konkrete për t’i dhënë fund luftës, duke paralajmëruar se SHBA do të tërhiqet nga roli i ndërmjetësit nëse nuk ka përparim.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, diplomati amerikan John Kelley fajësoi Rusinë për sulmet e fundit dhe humbjen e jetëve të civilëve. Ai tha se topi është tani në fushën e dy vendeve për të vendosur nëse duan paqe të qëndrueshme.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, theksoi se presidenti Trump është i paduruar dhe mund të ndërpresë përpjekjet për paqe në mungesë të progresit, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, Rusia shpalli një armëpushim 3-ditor nga 8 deri më 10 maj, për të shënuar përvjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Ukraina e kundërshtoi këtë, duke kërkuar një armëpushim më të gjatë e të menjëhershëm.
Zyrtarët evropianë dhe ukrainas kundërshtuan disa nga propozimet amerikane, ndërsa në OKB, Franca dhe Britania mbështetën ndërmjetësimin amerikan dhe e kritikuan ashpër Rusinë.
Ukraina deklaroi se nuk do të dorëzohet dhe nuk do të njohë asnjë territor të pushtuar nga Rusia, përfshirë Krimenë.