Live

Sekuestrohen 3.5 kg kanabis në Durrës, 3 të arrestuar

11:43 / 23 Mars 2025

Nga Kosova Live

Policia në Durrës ka arrestuar 3 persona që ushtronin veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit.

Në kuadër të operacionit të koduar Spring u vu në pranga shtetasi Haxhi Çela, 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Policia bëri me dije se gjatë operacionit, pranë mbikalimit të Shkozetit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga Çela i dyshuar se po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen në zonën e Lushnjës. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa, me peshë rreth 3.5 kilogramë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i dy shtetasve të tjerë, konkretisht Ardis Kraja, 43 vjeç dhe Gerald Kuqi, 25 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin shitur shtetasit Haxhi Çela në zonën e Spitallës, lagjja nr. 15, lëndën narkotike që iu sekuestrua gjatë këtij operacioni.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit Ardis Kraja dhe Gerald Kuqi shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një dorezë hekuri.

Shpërndaje në

U Kopjua