Live

Selmanaj: Lajmi mbi skandalin e dyfishtë në lobimin e Kosovës në SHBA është dëshmi e një dështimi të thellë

17:10 / 13 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka komentuar angazhimin e dy kompanive lobuse në ShBA nga MPJD-ja.

Duke iu referuar raportimeve të mediave se këto kompani bëjnë të njëjtën punë, Selmanaj ka vlerësuar se ky është një skandal i lobimit të Kosovës në ShBA.

Në profilin e tij në “Facebook”, Selmanaj ka shkruar se ky është edhe një simbol i dështimit dhe keqmenaxhimit të parasë publike nga Qeveria Kurti.

“Lajmi mbi skandalin të dyfishtë në lobimin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara është dëshmi e një dështimi të thellë, të shumëfishtë dhe të pajustifikueshëm nga ana e institucioneve tona qeveritare. Dy kompani, të paguara me shuma të majme për të kryer të njëjtën punë, në të njëjtat ditë dhe me kontaktet e njëjta – një farsë e hapur që flet për mungesë vizioni, transparence dhe përgjegjësie. Lobimi, në thelb, është një instrument i sofistikuar i diplomacisë, që kërkon planifikim strategjik, qasje të koordinuar dhe ekspertizë të lartë. E megjithatë, MPJD-ja në një kohë kur vendi ka pas dhe ka nevojë për përfaqësim të efektshëm dhe për mbrojtje të interesave të saj kombëtare, ka zgjedhur të shpërdorojë qindra mijëra euro në një skemë lobimi që duket më shumë si një lojë e errët përfitimi personal sesa një përpjekje serioze për ndërtimin e marrëdhënieve të besueshme me partnerët amerikanë”, ka shkruar ai.

Deputeti i LDK-së ka kërkuar sqarime se çka bëjnë konkretisht këto kompani.

“Pse paguajmë dyfish për të njëjtën shërbim? Pse janë shpenzuar kaq shumë para për asgjë më shumë se disa email-e dhe disa takime që as nuk justifikojnë shpenzimet e mëdha? Çfarë përfaqësojnë këto kompani, përveçse një karikaturë e diplomacisë dhe lobimit? Cili është rezultati i punës së tyre, të paguar me paratë e taksapaguesve të varfër kosovarë? Përgjigja e vetme është: Janë bërë pjesë e projektit të qeverisë së Kosovës për dëmtim të raporteve me SHBA-të. Kjo nuk është vetëm paaftësi menaxheriale – është një abuzim i hapur, i qëllimshëm dhe cinik me paranë publike të një vendi të vogël, i cili po përpiqet të ngrejë zërin e tij në arenën ndërkombëtare. Ky skandal dëshmon edhe një herë modelin tashmë të njohur të keqmenaxhimit dhe korrupsionit që përfaqëson qeveria e Albin Kurtit, Dhe gjithashtu tregon për nevojën urgjente në rivendosje të integritetit në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe jo vetëm”, ka shkruar ai.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...