Live

Serbët protestojnë sot në veri, përgënjeshtrohen pretendimet e Serbisë për “marshim të shqiptarëve në Urën e Ibrit”

08:02 / 07 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Serbët e Kosovës kanë paralajmëruar për sot protestë në veri, në sheshin “Car Lazar”, nga ora 11:00 deri në orën 12:00.

Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zv.Drejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Elshani tha se protesta është thirrur, për siç kanë thënë, “gjendjen e keqe të serbëve”.

Sipas tij, protesta pritet të jetë e qetë, derisa bëri me dije se policia do të jetë aty që ta mbajë rendin dhe qetësinë publike.

“Grupi i qytetarëve e ka lajmëru protestën e nesërme nga ora 11:00-12:00, që planifikohet të mbahet në sheshin Car Lazar. Arsyeja e kësaj proteste është “gjendja e keqe e serbëve në të cilën gjinden”. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbaj rendin dhe qetësinë publike”, ka deklaruar Elshani.

Gjatë së martës, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përmendur këtë protestë duke pretenduar se “shqiptarët do të marshojnë në urën e Ibrit”referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë  për një “tubim madhështor”.

Ndaj kësaj deklarate të Vuçiqit ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas Kurtit, me të tilla pretendime të rrejshme, Vuçiq po synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, shkruan Reporteri.net.

Kurti ka thënë se këto pretendime të rreme “shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia”.

“Me pretendime të rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxisë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç ai pretendon rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë pasur për qëllim të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto pretendime të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti.

Ndërkombëtarëte kanë bërë të qartë se nuk përkrahin hapjen e urës, pa dialog.

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar sot se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Reagimi i KFOR-it vjen pas kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë përgjatë vizitës në Mitrovicë të Veriut se “nuk ka arsye që ura të mos hapet’.

Shpërndaje në

U Kopjua