Live

Serbët protestojnë sot në veri të Kosovës për çështjen e dinarit

07:37 / 12 Shkurt 2024

Nga Kosova Live

Shoqata e pensionistëve serbë në veri të vendit ka ftuar qytetarët që sot nga ora 12:00 të marrin pjesë në protestën demokratike kundër vendimit për të ndaluar dinarin.

Ky organizim i tyre kundërshton vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit si mjet pagese.

Në mbështetje të kësaj proteste ka dalë Lista Serbe, e cila ka ftuar të gjithë qytetarët e këtij komuniteti që të hënën të protestojnë në Mitrovicë të Veriut.

“Lista Serbe mbështet protestat në Mitrovicë të Veriut, të paralajmëruara nga shoqata e pensioniste dhe në të njëjtën kohë ftojmë të gjithë qytetarët nga Kosova që të hënën më datën 12 shkurt nga ora 12:00 të marrin pjesë në këtë protestë demokratike kundër vendimit të regjimit në Prishtinë për të ndaluar dinarin dhe pagesat”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Edhe një ‘Demokracia serbe’ ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës të hënën të thirrur nga Shoqata e Pensionistëve.

Por, dje kryeministri Albin Kurti tha se Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran.

“I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufinjëve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, thotë Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua