Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se të martën më datë 17 shtator, është vendosur që të realizohet takimi për bisedime në kuadër të dialogut në Bruksel.
Mirëpo, Bislimi ka thënë se Serbia e ka refuzuar takimin duke u përpjekur të imponojë pikat e rendit të ditës, të cipat sipas tij, janë të destinuara për konsum të brendshëm politik, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për në 17 shtator, Kosova ka pranuar një takim trepalësh, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një marrëveshje të tillë. duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.
Po ashtu, Bislimi ka ftuar emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, të hedhë poshtë dezinformatat e përhapura nga mediat serbe, të cilat sipas tij, në mënyrë të rreme pretendojnë se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve.
“E ftoj Lajcakun të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe më poshtë, të cilat thonë në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”, ka shkruar tutje ai.
Mediat në Serbi gjatë ditës raportuan për këtë takim, por akuzuan palën kosovare se ka refuzuar takimin trepalësh.