Live

SHBA godet një terminal karburanti në Jemen, të paktën 38 të vrarë

08:43 / 18 Prill 2025

Nga Kosova Live

Ushtria amerikane ka njoftuar se ka shkatërruar një terminal karburanti në portin e Ras Isës në Jemen, në kuadër të sulmeve të saj më të fundit kundër rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani. Qëllimi i sulmit, sipas ushtrisë amerikane, ishte të kufizonte furnizimet dhe fondet për këtë grupim.

Sipas Houthive, të paktën 38 persona kanë humbur jetën gjatë këtij sulmi ajror, përfshirë edhe disa punonjës të urgjencës. Deri më tani, zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë një koment mbi këto pretendime për viktima, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Sulmi ndodhi të enjten, një muaj pasi SHBA intensifikoi operacionet ushtarake kundër Houthive në Jemen. Rebelët Houthi kanë nisur sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit që nga tetori i vitit 2023, kur shpërtheu lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Sulmet e tyre kanë fundosur disa anije dhe kanë detyruar shumë kompani transporti detar të shmangin këtë rrugë strategjike, përmes së cilës kalon rreth 15% e tregtisë globale detare.

Ndërkohë, një operacion i fundit amerikan ndaj Houthive u bë publik në mënyrë të pazakontë, pasi një gazetar u shtua gabimisht në një grup në Signal ku diskutonin zyrtarë të lartë të sigurisë.

Shpërndaje në

U Kopjua