Akuzat, ankesat, shkeljet ligjore e pezullimet janë disa nga zhvillimet që e kanë përcjellë tenderin prej 18 milionë eurosh për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë. Tashmë ky tender është pezulluar pas ankesës së një kompanie. Komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga kryetari Përparim Rama, ishte akuzuar nga Iniciativa për Progres “INPO” edhe për shkelje të tjera ligjore për këtë tender. Çka thotë Komuna e Prishtinës?
18 milionë euro është vlera e tenderit për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Sidoqoftë, ky tender është pezulluar pas ankesës së kompanisë “PHANTOM SOLUTIONS SH.P.K.”, e cila pretendon se Komuna e Prishtinës ka bërë shkelje ligjore, konkretisht te Ligji për Prokurimin Publik.
“PEZULLOHET aktiviteti i prokurimit me titull “Ndërtim i sheshit “Xhorxh Bush” me nr. të prokurimit 616-24-8261-5-1-1 dhe nr. të brendshëm brendshëm 616- 24-130-5-1-1, Autoriteti kontraktues – Komuna e Prishtinës ka pranuar ankesë të dorezuar në “OSHP” nga operatori ekonomik “PHANTOM SOLUTIONS SH.P.K., Mustafa Sejdiu, të datës 09.09.2024 dhe pas marrjes se vendimit të “OSHP-se” ne do të vazhdojme me hapat e metutjeshem” – thuhet në vendimin të cilin e ka parë Nacionale.
Kompania “PHANTOM SOLUTIONS SH.P.K.”, është ankuar se Komuna e Prishtinës e ka shkelur ligjin në mometin kur e ka shkurtuar afatin kohor për dorëzimin e ofertave.
“Afati i fundit i caktuar nga Autoriteti Kontraktues eshte me i shkurter se 40 dite, dhe me i shkurter edhe se 24 dite. Ne fakt, AK nuk ka plotesuar kushtin e perdorimit te afatit te shkurtuar sipas Nenit 45 te LPP-se.” – thuhet në ankesën që e ka parë Nacionale.
Gjithashtu, aty është theksuar se Komuna e Prishtinës ka vepruar në “kundershtim me dispozitat e LPP-se edhe ne dosjen e tenderit dhe ne percaktimin e aftesive profesionale dhe teknike.”
Sipas ankesës, Komuna e Prishtinës ka bërë disa kërkesa teknike që nuk kanë të bëjnë me projektin si dhe kërkesa të tjera diskriminuese.
Kompania ka kërkuar që të largohen kërkesat diskriminuese dhe të shtyhet afati për 30 ditë.
“Ne kerkojme nga OSHP qe te aprovoje ankesen tone si te bazuar, te obligoje AK qe te largoje kerkesat diskriminuese dhe te shtyej afatin per dorezimin e ofertave per minimum 30 dite, duke pasur parasysh kompleksitetin e projektit” – thuhet në ankesën e operatorit ekonomik, të cilën mund ta lexoni më poshtë.
Ankesat e INPO-së
Organizata INPO, para se të pezullohej tenderi me vlerë 18 milionë euro, kishte kërkuar rishikim dhe hetim të këtij tenderi.
INPO-ja pretendonte për shkleje të rënda ligjore gjatë procedurës rreth këtij tenderi.
Organizata INPO përmes një reagimi i kishte renditur shkeljet në katër pika, që, sipas saj, janë: Komuna e ka inicuar projektin pa i siguruar mjetet e nevojshme financiare, nënshkrimi i Deklaratës së Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve (DNPDF) nga Drejtorja e Financave, që është joligjore, ndryshimi i vlerës së projektit si dhe kërkesat joproporcionale, jorelevante, diskriminuese dhe favorizuese te pjesa e kapacitetit teknik dhe profesional.
Çka thotë Komuna e Prishtinës?
Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës, në një përgjigje për Nacionalen para se të pezullohej tenderi, është arsyetuar duke thënë se ia ka ofruar të gjitha përgjigjet INPO-së.
“Ju njoftojmë se Komuna e Prishtinës ka ofruar përgjigje të sakta dhe të plota në të gjitha pyetjet e subjektit të cilit i jeni referuar ju në pyetjen tuaj. Përndryshe Komuna e Prishtinës sikurse në çdo aktivitet tjetër të prokurimit, ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për të garantuar respektimin e plotë të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik. Ju lutem keni parasysh që aktiviteti i prokurimit për të cilin ju keni parashtruar pyetje, monitorohet vazhdimisht nga KRPP dhe në rast se do të manifestoheshin shkelje eventuale ligjore, të njëjtat do të adresoheshin sipas ligjit nga organet kompetente” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Gjithashtu, Komuna e Prishtinës ka thënë se i kishte siguruar mjetet e nevojshme financiare para inicimit të tenderit.
Më tutje, ndryshimin e vlerës së projektit nga shuma që ishte përcaktuar në njoftimin paraprak Komuna e ka arsyetuar me atë se e ka ndryshuar edhe planin nga ai fillestar.
“Mirëpo pas publikimit të njoftimit paraprak, është pranuar projekti i detajuar sipas të cilit është paraparë që vlera e projektit duhet të rritet. Më tutje, projekti fillestar me projektin final ka dallim të konsiderueshëm në sipërfaqe, pasi në projektin final është paraparë edhe rikonstruktimi i pjesës përpara Hotelit Grand si dhe përreth shtatores “Zahir Pajaziti”. Po ashtu, janë rritur dukshëm hapsirat me gjelbrim në projektin final. Prandaj, ka qenë e domosdoshme të rritet vlera si rrjedhojë e projektit te detajuar, rritjes së sipërfaqes dhe gjelbrimit që mbulon projekti. Rrjedhimisht është hartuar deklarata për disponueshmërinë e fondeve në përputhje me projektin e detajuar dhe ndarja buxhetore është planifikuar përgjatë 3 viteve buxhetore të cilat janë jo vetëm 2024 por edhe 2025 dhe 2026” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Megjithatë, pavarësisht këtyre arsyetimeve, ky tender gjendet në Organin Shqyrtues të Prokurimit, që njihet si “gjykata e tenderëve”.