Mbi 50 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë reaguar me shqetësim të thellë për situatën e krijuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e quajtur zvarritjen e procesit të konstituimit si cenim të rendit demokratik dhe të funksionalitetit institucional.
Në reagimin e përbashkët, organizatat theksojnë se Kuvendi është institucioni më i lartë përfaqësues dhe nuk mund të mbetet peng i vullnetit të një subjekti të vetëm politik. Ato kritikojnë devijimet procedurale të kryesuesit Avni Dehari dhe tentativat për të imponuar një proces të njëanshëm përmes votimit të fshehtë, duke theksuar se ky veprim bie ndesh me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor.
Organizatat civile bëjnë thirrje për kompromis politik dhe rikthim të funksionalitetit të Kuvendit, duke i kërkuar të gjitha partive të marrin përgjegjësitë e tyre demokratike në mënyrë që të mundësohet miratimi i ligjeve dhe emërimi i institucioneve të reja.
“Demokracia nuk mund të funksionojë pa institucione funksionale. Bllokada aktuale është e papranueshme dhe dëmton drejtpërdrejt interesin e qytetarëve,” thuhet në deklaratë.