Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025janë rritur dukshëm masat e sigurisë në Kosovë.
Z yrtarë nga aleanca e NATO-s deklaruan se kanë dërguar në Kosovë edhe 200 ushtarë shtesë italianë, siç thanë, për ta forcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë.
Ndërsa në KFOR thonë se po përforcojnë praninë në Kosovë dhe se brigada italiane e këmbësorisë “Sassari” do të kryejë “një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it”.
“Kjo forcë do të dislokohet në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, thuhet në një përgjigjë nga KFOR-i.
Për periudhën e zgjedhjeve në Kosovë, ditë më parë shqetësime ngrehi edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte I cili tha se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet për mos destabilizim të situatës gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Njohësit e sigurisë në Kosovë e kanë vlerësuar shtimin e pjesëtarëve të KFOR-it, duke thënë se edhe nëse ndodhë ndonjë incident nga Serbia, KFOR-i dhe Policia e Kosovës janë në gatishmëri.
Ish-drejtori i Policisë, njëherësh kandidati për deputet nga PDK, Rashit Qalaj, ka folur për “Front Online” lidhur me rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë në prag të zgjedhjeve.
Ai ka vlerësuar si pozitive këtë rritje, duke theksuar se ky veprim ofron një garancion për zhvillimin e zgjedhjeve pa probleme.
Qalaj tha se ky numër i rritur i ushtarëve të KFOR-it është i bazuar në analizat dhe informatave inteligjente të forcave ndërkombëtare.
“Është pozitive rritja e numrit të ushtarëve të KFOR-it. Ky numër kishte me qenë mirë të rritët edhe në kufirin me Serbinë, sepse ofron një garancion që zgjedhjet edhe në atë pjesë të mbahen pa probleme. Kjo rritje e pjesëtarëve të KFOR është bërë në bazë të informatave inteligjente që i kanë ata dhe analizave që i kanë bërë këtyre informatave”, ka thënë Qalaj.
Ai ka sugjeruar që Policia të intensifikojë patrullimet në komunat veriore.
“Policia duhet t’i shtojë patrullimet për komunat në veri. Pasi është shtuar numri i KFOR dhe policëve besoj që do të shtohet edhe po të këtë ndonjë incident do të menaxhohet shpejt”, deklaroi Qalaj.
Ish-zv.ministri i Brendshëm, Valdet Hoxha, është deklaruar lidhur me rritjen e kapaciteteve të KFOR-it në Kosovë gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e konsideruar këtë veprim si një masë të nevojshme për të parandaluar mundësinë e eskalimit të situatës.
Hoxha beson se prania e shtuar e KFOR-it do të dobësojë përpjekjet destabilizuese, duke përmendur ngjarjet e fundit në Banjska dhe Iber Lepenc.
“Deklarimet e KFOR për shtimin e pjesëtareve të tyre është në vazhdimësi të deklarimeve të sekretarit të NATO-s i cili tha se janë të shqetësuar që të mos eskaloj situata në periudhë të zgjedhjeve. As KFOR e as NATO pa një informacion kredibil nuk shqetësohen se gjithmonë veriu ka qenë një front i deklaruar haptas nga Serbia e Rusia për ta filluar një konflikt me NATO dhe për ta eskaluar situatën në rajonin e Ballkanit. Ky veprim i tyre do ti minoj përpjekjet destabilizuese si në Banjska dhe Iber Lepenc”, deklaroi Hoxha ”.
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me rritjen e trupave të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se kjo masë është e domosdoshme për të siguruar stabilitetin dhe për të parandaluar incidente.
“Zhvillimet politike që po e karakterizojnë Serbinë dhe pjesën atje është dashtë që shtimi i trupave të KFOR në Kosovë do t’i kontribuojë në sigurinë e brendshme duke minimizuar çdo incident të mundshëm të grupacioneve që e cenojnë rëndë sigurinë”, shprehet ai.
Shala theksoi se shtimi i trupave, që do të arrijnë deri në 500 ushtarë, do të vazhdojë deri në përfundim të zgjedhjeve dhe formimin e Qeverisë së re, si një përgjigje ndaj kërcënimeve të mundshme.
“Ky shtim i trupave do të pasojë edhe me të tjerë deri në përfundim të zgjedhjeve dhe deri në formimin e Qeverisë së ardhshme do të kemi shtim të trupave deri në 500 për të minimizuar çdo situatë të mundshme. Informacionet që kanë nxitur komandën e KFOR janë me bazë dhe ka elemente të caktuara që mund të përshkallëzohet sigurinë në Kosovë”, vlerësoi Shala.