Live

Si të ndërrohet Qendra e Votimit nga një komunë në tjetrën, KQZ-ja jep detaje

12:13 / 11 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër, nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga KQZ, por kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit nga qytetarët/votuesit.

Bëhet e ditur se përmes KQZ-së, votuesi, nëse dëshiron, mund të ndryshojë Qendrën Votimit vetëm brenda komunës. Por, për të kaluar nga një Qendër Votimi e një komune, në Qendrën e Votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova. Pas konfirmimit të ndryshimit të adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në Regjistrin Qendror Civil.

“Çdo ndryshim i adresës së banimit deri më 29 gusht 2025, do të pasqyrohet  në platformën e KQZ-së https://qv.kqz-ks.org dhe rrjedhimisht në Listën Votuese.Gjithashtu, deri më 29 gusht 2025, KQZ do të vazhojë të ofrojë shërbimin për votuesit që dëshirojnë ta ndryshojnë Qendrën e Votimit brenda komunës”.

“Gjatë periudhës, e cila ka filluar më 28 qershor dhe do të përfundojë më 29 gusht, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë/verifikojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre: përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi”, thuhet në njoftim të këtij Komisioni.

Shpërndaje në

U Kopjua