Live

Sindikatat në Maqedoninë e Veriut kërkojnë rritje të pagës minimale për 500 euro

16:59 / 03 Mars 2025

Nga Kosova Live

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut ka kërkuar që paga minimale të rritet për 6000 denarë dhe që të gjitha pagat në sektorin publik dhe privat të pasojnë këtë rritje.

Sindikalistët propozojnë që paga minimale të arrijë në 500 euro, duke kërkuar gjithashtu që shteti të subvencionojë ose të lirojë kontributet për 12 muaj, transmeton klankosova.tv.

Kërkesa është mbështetur me argumentin se rritja e pagës minimale është e domosdoshme për të përballuar rritjen e kostos së jetesës, e cila ka shënuar ngritje të konsiderueshme gjatë muajve të fundit. Sipas Alsat.m, Lidhja e Sindikatave ka bërë thirrje që Qeveria dhe deputetët të mbështesin këtë propozim, ndërsa ka paralajmëruar mundësinë e shpalljes së grevës së përgjithshme në rast se nuk arrihet një marrëveshje.

Kërkesat e sindikalistëve janë mbështetur gjithashtu nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), e cila ka theksuar se lufta për një pagë minimale më të lartë është një nga prioritetet e saj.

“Mbështesim luftën e sindikatave për një pagë minimale prej 500 euro. Masat ekonomike që kemi propozuar në periudhën e kaluar janë të orientuara në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, sidomos për punëtorët,” ka thënë Sanja Llukarevska, deputete e LSDM-së.

Sindikalistët theksojnë se rritja e pagës minimale në 24,400 denarë, sa është parashikuar në pajtueshmëri me harmonizimin ligjor, është e pamjaftueshme dhe nuk reflekton rritjen reale të kostos së jetesës.

Aktualisht, paga minimale në Maqedoni është 22,567 denarë dhe është paraparë që kjo të harmonizohet gjatë këtij muaji.

Diskutimi për nivelin e ri të pagës minimale do të zhvillohet në seancën e ardhshme të Këshillit Ekonomiko-Social, e cila do të mbahet në mesin e këtij muaji.

Shpërndaje në

U Kopjua