Autoritetet siriane kanë ndaluar dy anëtarë të lartë të grupit militant palestinez, Xhihadi Islam, i cili kishte marrë pjesë në sulmet e tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit nga Gaza, thanë të martën krahu i armatosur i grupit dhe një zyrtar sirian.
Në një deklaratë, Brigadat Al Quds thanë se Khaled Khaled, i cili i drejton operacionet e Xhihadit Islam në Siri, dhe Yasser al-Zafari, i cili e drejton komitetin organizativ të grupit, janë në ndalim në Siri tash e pesë ditë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Grupi tha se këto dy figura u ndaluan “pa ndonjë shpjegim të arsyeve” dhe “në një mënyrë që ne nuk do të shpresonim ta shihnim nga vëllezërit tanë”, duke bërë thirrje për lirimin e tyre.
Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Sirisë e konfirmoi ndalimin e dy anëtarëve të Xhihadit Islam, por nuk iu përgjigj pyetjeve pasuese se pse ishin arrestuar ata. Një burim palestinez në Damask gjithashtu e konfirmoi arrestimin e tyre.
Xhihadi Islam i ishte bashkuar aleatit të tij, Hamasit, në sulmin ndaj Izraelit më 2023. Ky grup merr mbështetje dhe financa nga Irani dhe për një kohë të gjatë ka pasur zyra qendrore të huaja në Siri dhe Liban.
Megjithatë, aleatët e tij në të dyja vendet rishtazi kanë pësuar goditje shkatërruese. Një ofensivë tokësore dhe ajrore izraelite vitin e kaluar e dobësoi grupin libanez gjithashtu të përkrahur nga Irani, Hezbollah, ndërsa presidenti sirian, Bashar al-Assad, aleat i ngushtë i Iranit, u rrëzua përmes një ofensive të rebelëve vitin e kaluar.
Udhëheqësit e rinj sirianë në Damask i kanë shkëputur lidhjet diplomatike me Iranin dhe po shpresojnë që ta ndërtojnë përkrahjen rajonale dhe ndërkombëtare për Sirinë dhe njëra nga këto arsye është eliminimi i sanksioneve dhe financimi i rindërtimit të vendit.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Sirisë një listë të kushteve për t’i përmbushur në këmbim të lehtësimit të pjesshëm të sanksioneve. Burimet thanë se njëri nga kushtet është mbajtja në distancë e grupeve palestineze të mbështetura nga Irani.