Live

Skandali në Shtëpinë e Bardhë: Çfarë thoshte JD Vance për Trumpin dhe Evropën? – Pesë detajet tronditëse nga publikimi i bisedave

17:18 / 25 Mars 2025

Nga Kosova Live

Washingtoni është përballur me thyerje serioze të sigurisë në zemër të administratës së Donald Trumpit.

Është historia se si gazetari i revistës “Atlantic”, Jeffrey Goldberg ishte shtuar në grupin e mesazheve në “Signal” që përfshinte zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Mike Waltz.

Tema që u diskutua ishte sulmi ndaj grupit Houthi të përkrahur nga Irani në Jemen.

Goldberg ka thënë se ka parë plane të planifikuara për sulmet, përfshirë pakot e armëve, caqet dhe kohën e sulmeve, dy orë para se të nisnin ato.

Cila është çështja kryesore e këtij skandal?

Dyshimi i Vance për mendimet e Trumpit

Sa i përket veprimit ushtarak, Goldberg ka raportuar se llogaria me emrin JD Vance kishte shkruar: “Mendoj se po bëjmë gabim”.

Zëvendëspresidenti kishte thënë se sulmi ndaj Houthëve që po sulmonin anijet në kanalin e Suezit po i shërbente interesave evropiane sesa të SHBA-së, sepse Evropa bënte më shumë tregti nëpërmjet këtij kanali.

Vance shtoi se shefi i tij ndoshta nuk ishte në dijeni se si do t’i ndihmonte ky aksion Evropës.

“Nuk jam i sigurt nëse Trumpi është në dijeni se sa jokonsistent është me mesazhin e tij për Evropën tani”, kishte shkruar Vance. “Ka rrezik që të shohim ngritje të çmimeve të naftës”.

Zëvendëspresidenti pastaj ka thënë, sipas gazetarit Goldberg, se do të përkrahte konsensusin, por do të preferonte shtyrje të sulmit për një muaj.

Goldberg ka raportuar në shkrimin e tij se zëdhënësi i JD Vance më vonë i ka dërguar një deklaratë në të cilën nënvizohej se Trumpi dhe Vance kanë pasur bisedime të mëparshme në lidhje me këtë çështje dhe janë në një vijë të plotë.

Që kur erdhi në pushtet, Trump ka kritikuar aleatët e tij evropianë në NATO, u ka kërkuar të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe në përgjithësi ka insistuar që Evropa duhet të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e interesave të saj.

Fajësimi i Evropës

Argumentet se pse SHBA-ja mund – dhe duhet – të kryejë sulmin ushtarak kundër Huthëve nuk e bindën Vance. Ai i tha sekretarit të mbrojtjes: “Nëse mendoni se duhet ta bëjmë, le ta bëjmë. Thjesht e urrej ta shpëtoj përsëri Evropën.”

Hegseth iu përgjigj:
“E ndaj plotësisht neverinë tënde për Evropën që përfiton pa kontribuar. Është E MJERUESHME.”

Një anëtar i grupit, i identifikuar vetëm si “SM”, sugjeroi që pas sulmit, SHBA-ja duhet të “bëjë të qartë për Egjiptin dhe Evropën se çfarë presim në këmbim”.
“Nëse Evropa nuk e shpërblen, atëherë çfarë?” pyeti ai.
“Nëse SHBA-ja rikthen me sukses lirinë e lundrimit me një kosto të madhe, duhet të ketë një përfitim ekonomik në këmbim,” vazhdoi përdoruesi.

Sipas Goldbergut, kreu i sigurisë kombëtare të SHBA-së postoi tre emoji pas sulmit: “një grusht, një flamur amerikan dhe zjarr”.
I dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, u përgjigj me pesë emoji, tha Goldberg: “dy duar duke u lutur, një biceps të tendosur dhe dy flamuj amerikanë”.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, shprehën mesazhe mbështetjeje, tha ai.
“Do të bëj një lutje për fitoren,” tha Vance teksa jepeshin përditësime mbi sulmet.
Dy anëtarë të tjerë shtuan emoji lutjeje, raportoi Goldberg.

Fajëso Bidenin

Për shqetësimet e Vanceit se veprimi mund të shihet si kundërshtim ndaj mesazhit të Trumpit për Evropën, sekretari amerikan i mbrojtjes shkroi:
“VP [zëvendëspresident]: E kuptoj shqetësimin tënd – dhe të mbështes plotësisht që ta diskutosh me POTUS [Trump]. Këto janë çështje të rëndësishme, shumica e të cilave është e vështirë të parashikohet se si do të ndikojnë (ekonomia, paqja në Ukrainë, Gaza, etj.).
“Mendoj se do të jetë e vështirë ta menaxhojmë mesazhin – askush nuk e di kush janë Huthët – prandaj duhet të fokusohemi në: 1) Biden dështoi & 2) Irani e financoi”.

Administrata Trump vazhdimisht e ka fajësuar Joe Bidenin për të qenit shumë i butë ndaj Iranit.

Waltz në qendër të vëmendjes

Goldberg tha se më 11 mars mori një ftesë të papritur në platformën e mesazheve Signal nga një llogari e quajtur Michael Waltz dhe dy ditë më vonë u shtua në bisedën e grupit për Jemenin.
Presidenti nuk ishte pjesë e këtij grupi, por bashkëpunëtorët më të afërt të Trumpit po.
Fillimisht, Goldberg mendoi se ishte një mashtrim, por shpejt kuptoi se ishte e vërtetë.

E gjithë çështja po rrit presionin mbi këshilltarin e sigurisë kombëtare, me demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat që kërkojnë një hetim urgjent.
Kur u pyet të hënën për këtë incident, Trump tha se nuk dinte asgjë, por e mbështeti Waltzin.

Sekretari i mbrojtjes gjithashtu tha se asnjë sekret nuk ishte zbuluar.
“Askush nuk po shkruante plane lufte me mesazhe,” u tha ai gazetarëve.

Shpërndaje në

U Kopjua