Live

Sot në Bruksel takohen Kurti e Vuçiq, në tavolinë draft-statuti i Asociacionit dhe deklarata për të zhdukurit me dhunë

07:59 / 02 Maj 2023

Nga Kosova Live

Një rund i ri i dialogut, i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet ditën e sot në Bruksel. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thirrur një takim për në orën 18:00, ku do të marrin pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç ka njoftuar Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme të premten, në tavolinë do të jenë dy tema, draft statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Deklarata për Personat e zhdukur.

Nga takimi në Ohër kanë kaluar 45 ditë dhe në atë të sotmin do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes së arritur atje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm për këtë takim dhe ka thënë që marrëveshja duhet të zbatohet në plotëni dhe pa vonesa.

Kreu i Qeverisë së Kosovës sot u shpreh i lumtur për draft-statutin e Asociacionit që do të prezantohet nga Brukseli.

Ndërsa, për Serbinë vijat e kuqe tashmë janë të qarta, pasi fillimisht ata kanë kërkuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të vazhduar tutje me marrëveshjen, pasi sipas tyre kanë kaluar 10 vjet nga kjo marrëveshje për Asociacionin, dhe Kosova nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

I Dërguari Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka theksuar se nga ky takim pret që të ketë propozime iniciale për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka vlerësuar se tashmë ka ardhur koha për themelimin e Asociacionit.

“Ne presim propozime fillestare për formimin e Asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, ka thënë Escobar.

Ndërkaq, mbrëmë, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka bërë të ditur se e ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Sipas Chollet, në këtë bisedë është diskutuar edhe për rëndësinë e implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në mënyrë të menjëhershme.

“Një bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurti rreth takimit të liderëve më 2 maj, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE, rëndësinë e implementimit të menjëhershëm të Asociacionit me shumicë Serbe dhe partneritetin e fuqishëm mes SHBA-së dhe Kosovës”, ka bërë të ditur Chollet.

Në orët e mbrëmjes kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka mbërritur në Bruksel, para takimit të së martës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti teksa ka publikuar një fotografi me ekipin e tij, ka thënë se përgatitja për këtë takim ka qenë komplekse, por edhe e lehtë.

“Mbërrita në Bruksel dhe kalova ditën duke u përgatitur për takimin e së martës. Përgatitja për negociata është komplekse por edhe e lehtë: komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e lehtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, njoftoi Kurti në Twitter.

Shpërndaje në

U Kopjua

Të tjera nga Ballina