Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, është shprehur i indinjuar lidhur me refuzimin e kërkesës për mbrojtje në liri për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gruda, në një konferencë për media, tha se ky vendim cenon të drejtat themelore të njeriut të të akuzuarve, që janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Mbajtja e tyre, së bashku me ish-Presidentin Thaçi, për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim, përbën një shkelje flagrante të standardeve të drejtësisë perëndimore, standarde të cilat kemi besuar se do të respektoheshin me përpikëri nga kjo gjykatë. Pas përfundimit të fazës së Prokurorisë, kur çdo argument për ndonjë rrezik të mundshëm për ndikim në proces ka rënë, lirimi me kusht nuk do të duhej të ishte një privilegj, por një e drejtë e patjetërsueshme”, theksoi ai.
Partia Demokratike e Kosovës ka mbështetur që nga fillimi themelimin dhe funksionimin e papenguar të Gjykatës Speciale, me bindjen e plotë se aty do të garantoheshin e drejta për një gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm – si gurthemel i lirive dhe të drejtave të njeriut.
PDK vlerëson se një gjykatë e tillë në zemër të Evropës nuk do të duhej të shndërrohej në një mekanizëm të përndjekjes, aq më pak në emër të drejtësisë dhe viktimave të luftës.
“Z. Thaçi, z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi nuk janë aty thjesht si qytetarë të akuzuar, por si liderë të luftës për liri, arkitektë të pavarësisë dhe ndërtues të institucioneve demokratike të Kosovës. Ne kërkojmë një gjykim të drejtë, të bazuar në standardet e vendeve demokratike, nga të cilat vijnë edhe gjyqtarët e kësaj gjykate. Prandaj, ne kërkojmë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, kërkojmë që humanizmi të mos zhduket përballë paragjykimeve, dhe që ligji të mos shtypet në emër të drejtësisë. Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë thirrje Dhomave të Specializuara, faktorit ndërkombëtar dhe atyre që financojnë gjykatën të veprojnë me përgjegjësi dhe respekt për të drejtat themelore të njeriut”, shtoi Gruda.
Gruda u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin rol aktiv në ofrimin e garancive për të akuzuarit.
“Jemi të bindur se procesi në Hagë dhe epilogu i tij nuk janë çështje individuale, por çështje me rëndësi themelore për historinë dhe të ardhmen e shtetit tonë. Mosangazhimi i institucioneve tona nuk është thjesht një neglizhencë, por një heqje dorë nga përgjegjësia historike”, tha Gruda.