Live

“S’ta din punën, edhe t’qet udhëheqëse”, Sahatçiu akuzon Komunën e Prishtinës për PZhK: Proces i komprometuar

16:20 / 25 Prill 2025

Nga Kosova Live

“Edhe s’ta din punën, edhe t’qet udhëheqëse projekti vend e pa vend”.
Kështu e nis reagimin e saj ish-nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, në lidhje me përfshirjen e emrit të saj në Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.

Ajo thotë të jetë përfshirë në të pa lejen e saj, ndërkaq thotë se ka kërkuar të hiqet nga i njëjti por që kjo nuk ka ndodhur.

“E kam kërku disa herë me u heqë prej këtij plani – fillimisht nga parimi sepse s’kam punu në të, pastaj sepse s’jam pajtu me drejtimin që ka marrë. Menaxherja e projektit në veçanti duhet ta ketë parasysh kërkesën e përsëritur e që për habinë time, nuk qenka reflektu ende. Me përfshi emra pa kontribu veç pse je në një hierarki, është praktikë qesharake”, tha Sahatçiu në një reagim në Facebook.

Ajo thotë se do të kishte qenë nder jetësor për të po të ishte pjesë e dokumenteve që e kthjellin qytetin rrënjësisht.

Megjithatë, ish-nënkryetarja thotë se këtu nuk kemi të bëjmë me një të tillë. “Procesi është i kompromituar dhe ky plan nuk bën të del as në diskutim publik, aq më pak në fund të një qeverisje që veç për urbanistikë e zhvillim s’ka me u mbajt në mend kurrë”, potencoi Donjeta Sahatçiu.

Për sa i përket këtij plani, ajo tha se është “farsë”.

“Po shitet sot si përpjekje për me kalu në diskutim publik një dokument narrativ, ku nuk i shihet pesha e vërtetë e dëmit në prapavijë me planet tashmë të përfunduara”, tha ish-nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.

Shpërndaje në

U Kopjua