Live

Sveçla, Krasniqi dhe Hoxha vizitojnë veriun: Mbështetja s’do të mungojë për Policinë për të garantuar siguri e integritet

15:56 / 04 Janar 2024

Nga Kosova Live

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi si dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha gjatë ditës së sotme kanë vizituar brezin kufitar mbi fshatin Bërnjak, shkruan Reporteri.net.

Ka qenë Ministri Sveçla ai i cili ka publikuar pamje nga kjo vizitë, derisa ka thënë se Policia e Kosovës po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Tutje ai ka bërë të ditur se së bashku kanë biseduar për nevojën e avansimit të kapaciteteve në pikat kufitare dhe menaxhimit më efikar të brezit kufitar.

“Mbështetja ime nuk do të mungojë për Policinë e Kosovës për të garantuar siguri e integritet të Republikës sonë”, ka shkruar mes tjerash Sveçla në Facebook.

Postimi i plotë:

Bashkë me Ministrin Elbert Krasniqi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha dhe Drejtorin e Departamentit të Kufirit Fehmi Xhata, sot kemi vizituar brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak, që shtrihet përgjatë asetit tonë, Liqenit të Ujmanit.

Policia jonë në nivelin më të lartë të detyrës e me vigjilencë po mbronë kufinjtë tanë dhe po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë. Kjo pavarësisht sulmeve të njëpasnjëshme të grupeve kriminale e terroriste të Serbisë, të cilat janë bërë 115 sosh vetëm në veriun e vendit tonë.

Bashkë me ekipin, zyrtarët policor kufitar e të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit biseduam për nevojën e avansimit të kapaciteteve tona në pikat kufitare e në menaxhimin sa më efikas të brezit tonë kufitar.

Mbështetja ime nuk do të mungojë për Policinë e Kosovës për të garantuar siguri e integritet të Republikës sonë.

Shpërndaje në

U Kopjua