Live

Tahiri: Dështuam ta dërgojmë Presidenten Osmani në Kushtetuese, LDK-ja nuk nënshkroi

14:07 / 20 Nëntor 2023

Nga Kosova Live

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se kanë dështuar të dërgojnë në Kushtetuese, Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me mos dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, shkruan Reporteri.net.

Tahiri bëri të ditur para gazetarëve se PDK dhe AAK kanë qenë të gatshme të nënshkruanin, por jo edhe LDK, gjë për të cilën Gazeta Online Reporteri.net kishte raportuar ditën e shtunë.

“Siç dihet, ne grupet parlamentare kemi pas dakordim që të punojmë në këtë rast dhe fatkeqësisht kemi dështuar ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese presidenten Vjosa Osmani për çështjen e mosdekretimit të Blerim Isufajt si kryeprokuror të shtetit, si rezultat i mosunifikimit të opozitës. Si grupe parlamentare, PDK dhe AAK kanë qenë të gatshme të nënshkruanin por jo edhe LDK. Osmani ka shpëtuar nga shkeljet që ka bërë”, tha ai para mediave.

Gazeta Online Reporteri.net raportoi dy ditë më parë se PDK-ja së bashku me AAK-në kanë mbledhur 25 nënshkrime nga 30 sosh sa janë të nevojshme, mirëpo atyre ende nuk iu janë bashkuar kolegët e tyre opozitar nga LDK-ja.

Por, LDK-ja nuk po e sheh të arsyeshme që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit në bazë të Kushtetutës kanë mundësi të apelojnë një vendim të presidentit në Gjykatën Kushtetuese përmes sigurimit të 30 nënshkrimeve, mirëpo kanë afat vetëm 31 ditë pas atij vendimi.

Më 17 tetor, presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak siç ka thënë shkeljeve të shumta ligjore.

Megjithatë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 1 nëntor ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

Shpërndaje në

U Kopjua