Live

Temperaturat mbi 35°C në zyra – KPK dhe Zyra e Kryeprokurorit reagojnë lidhur me kushtet e rënda të punës

13:42 / 07 Korrik 2025

Nga Kosova Live

ëshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë ngritur shqetësime  lidhur me gjendjen në Pallatin e Drejtësisë, ku për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes dhe temperaturave ekstreme, ambientet e Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë bërë të papërshtatshme për punë.

Sipas tyre, temperaturat brenda zyrave kanë arritur mbi 35°C, duke rrezikuar shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve dhe duke pamundësuar zhvillimin normal të punës, njofton Klankosova.tv.

Në këtë situatë, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje Kryeprokurorëve të këtyre dy prokurorive që të marrin masa brenda kompetencave të tyre, përfshirë reduktimin e orarit të punës, deri në përmirësimin e kushteve.

Ata theksojnë se ndonëse janë bërë kërkesa të përsëritura ndër vite për ndërhyrje, nuk është marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka përgjegjësi për mirëmbajtjen e objektit të Pallatit të Drejtësisë.

“I bëjmë thirrje të qartë dhe të drejtpërdrejtë MPB-së që të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe efektive për përmirësimin e kushteve elementare të punës, në mënyrë që të garantohen siguria dhe mirëqenia e punonjësve të sistemit prokurorial”,  thuhet në reagimin e përbashkët të KPK-së dhe ZKPSH-së në Facebook.

Shpërndaje në

U Kopjua