Live

Thesar misterioz në pyjet e Çekisë: Dy alpinistë zbulojnë monedha ari dhe sende luksoze

08:52 / 22 Maj 2025

Nga Kosova Live

Një zbulim i pazakontë ka tronditur verilindjen e Republikës Çeke, ku dy alpinistë, gjatë një shëtitjeje në Malet Krkonoše, hasën rastësisht një kuti alumini të fshehur në një mur shkëmbor. Brenda saj, ata zbuluan një sasi mbresëlënëse thesari: dhjetë byzylykë ari, 17 kuti purosh, një krehër dhe plot 598 monedha ari.

Pas gjetjes, alpinistët anonimë e dorëzuan kutinë në Muzeun e Bohemisë në qytetin Hradec Králové. “Vetëm pasi monedhat iu treguan numizmatit tonë, filluam hetimet arkeologjike në vendin e gjetjes,” deklaroi Miroslav Novak nga muzeu për CNN.

Monedhat, që peshojnë gjithsej 3.7 kilogramë, vlerësohen rreth 360,000 dollarë. Ato janë kryesisht me origjinë ballkanike dhe franceze, ndërsa çuditërisht mungojnë plotësisht monedhat gjermane apo çeke – ndonëse gjetja ndodhet në një zonë dikur të ndarë etnikisht mes çekeve dhe gjermanëve.

Një monedhë daton në vitin 1921, çka tregon se thesari nuk është më i vjetër se një shekull. Historianët dyshojnë se ai mund të jetë fshehur në prag të Luftës së Dytë Botërore ose në fund të saj, në rrethana të largimeve masive nga zona kufitare.

Origjina e saktë e thesari mbetet një mister. Teoritë përfshijnë pasuri të fshehura nga familje aristokrate si Swéerts-Špork ose plaçkë lufte e legjionarëve çekosllovakë. Muzeu ndërkohë vijon hetimet dhe po pranon sugjerime nga publiku për të zbardhur të shkuarën e këtij zbulimi të rrallë.

Shpërndaje në

U Kopjua