Live

Tik-Tok mund të mbyllet në Kosovë, mund ta rrezikoj sigurinë kombëtare të vendit

16:24 / 27 Prill 2023

Nga Kosova Live

Rrjeti Social Tik-tok, mund të rrezikojë sigurinë kombëtarë të Kosovës. Institucionet e Sigurisë në vend do të mblidhen për të vlerësuar situatën dhe për të marrë një vendim se a do të ndalohet përdorimi i kësaj platforme në Kosovë. Kështu bëri të ditur komisionarja e Agjencisë së Informimit dhe Privatësisë, Krenare Sogojeva Dërmaku. Ajo bëri thirrje që sa më pak të ekspozohen të dhëna në rrjete sociale.

Siguria kombëtare e Kosovës, mund të vihet në rrezik nga përdorimi i rrjetit social tik-tok, që tashmë ka gjetur përdorim të gjerë në vend.

Për çështje të sigurisë disa vende botërore tashmë e kanë ndalur përdorimin e këtij rrjeti social. Se sa mund të rrezikohet siguria kombëtare e vendit tonë, nga përdorimi i kësaj platforme i themeluar nga Kina, flet në një prononcim për Radio Kosovën komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi Krenare, Sogojeva Dërmaku.

Ajo tha se kjo platformë e cila u mundëson qytetarëve të ofrojnë shumë të dhëna personale, do të vlerësohet nga institucionet e sigurisë në vend se a e rrezikon sigurinë kombëtare përveç asaj personale.  

“Ne do të ulemi bashkë të gjithë akterët e ta bëjnë një vlerësim paraprak. Të shohim se ku dhe çka mund të rrezikojë në aspektin e sigurisë kombëtare përdorimi i kësaj platforme”, tha ajo.

“E, pastaj do të shkojmë me një propozim te Qeveria dhe Kuvendi, sepse ndalimi i një platforme të tillë, mund të bëhet vetëm nga ana e tyre”.

Sogojeva Dërmaku, gjithashtu tha se BE-ja ka bërë kërkesë te të gjithë punonjësit e tyre që të ndalojnë përdorimin e kësaj platforme në telefonatë mobilë për arsye të sigurisë kombëtare dhe mbrojtës së dokumenteve zyrtare.

E, për sa i përket raportimeve se Kina po mbledh të dhëna shtetërore përmes  Tik-Tok, ajo tha se ky rrezik nuk është vetëm për qytetarët tanë por për gjithë botën.

“Shumë shtete kanë bërë kërkesë për të ndaluar këtë platformë, sepse Kina mund të kontrollojë jo vetëm të dhënat e qytetarëve por edhe të dhënat zyrtare dhe përmes kësaj platforme mund të rrezikojë sigurinë e vendit|, tha Dërmaku.

Ajo bëri të ditur se Policia e Kosovës i ka të gjithë kontaktet e zyrtarëve të rrjeteve sociale, përveç Tik-tok-ut, me të cilët nuk kanë kontakt në rast të ndonjë shkeljeje. Sipas saj, kjo problematikë do të jetë një ndër pikat e diskutimit gjatë vlerësimit të kësaj situate.

Ndryshe, platformat sociale nuk shesin asgjë si kapital të tyre, ato kanë mbledhjen e të dhënave personale. Prandaj, Sogojeva-Dërmaku u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ekspozojnë sa më pak të dhëna e fotografi, në mënyrë që të ruhet privatësia e tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...