Live

Trafiku drejt Anglisë: Kapet brenda kamionit gruaja me fëmijën, në pranga shoferi dhe dy shqiptarë

07:54 / 25 Mars 2025

Nga Kosova Live

Tre persona, mes tyre dy shqiptarë, janë arrestuar pasi futën një grua dhe një fëmijë 6-vjeçar ilegalisht në Britaninë e Madhe me anë të një kamioni.

Sipas komunikatës për media të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), treshja u arrestua nga oficerët e agjencisë mëngjesin e 23 marsit, pasi kamioni mbërriti me një traget nga Hook of Holland në portin e Killingholme në North Lincolnshire.

Ai u kontrollua nga Forcat Kufitare, të cilët po punonin me NCA-në. Gruaja dhe fëmija, të dy shtetas shqiptarë, u gjetën të fshehur në kabinën e kamionit dhe iu dorëzuan autoriteteve të emigracionit.

Shoferi i kamionit, një 36-vjeçar nga Polonia, u arrestua.

Ai u akuzua për bashkëpunim në emigracion të paligjshëm dhe pritet të dalë para Gjykatës Magjistrale të Grimsby-t.

Menjëherë pas kësaj, dy shqiptarë të moshës 44 dhe 26 vjeç u arrestuan gjithashtu nga oficerët e NCA-së pak milje larg portit ku u ndalua kamioni.

Ata ishin nisur me makinë nga zona Hendon e Londrës dhe dyshohej se po shkonin për tek kamioni në të cilin u gjetën gruaja dhe fëmija 6-vjeçar.

Shpërndaje në

U Kopjua