Live

Tragjedia në Koçan: Ish kryetarët nën arrest shtëpiak, 19 të dyshuar në paraburgim

10:15 / 28 Mars 2025

Nga Kosova Live

Gjykata në Koçan ka shqyrtuar 22 ankesa të të dyshuarve për zjarrin tragjik që ndodhi në diskotekën “Puls” dhe ka marrë disa vendime të rëndësishme. Për 19 prej tyre, masa e paraburgimit mbetet në fuqi, ndërsa tre të dyshuar janë dërguar në arrest shtëpiak.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu masën e sekuestrimit të pasaportave për këta tre persona, për të siguruar që ata të mos mund të largohen jashtë shtetit.

“Ndaj ankesave ka vepruar këshilli prej tre gjykatës dhe ka vendosur që për 19 të dyshuar të refuzohet ankesa dhe të mbetet masa e paraburgimit, ndërsa për 3 të dyshuar është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak, si dhe është caktuar masa e sigurimit – sekuestrim i përkohshëm i dokumenteve të udhëtimit ose dokument tjetër për kalim të kufirit shtetëror, apo ndalesë për lëshimin e tij,” njoftuan nga Gjykata Themelore Koçan.

Për dy nga këta të dyshuar, ish-kryetarët e Komunës së Koçanit, Ratko Dimitrov dhe Nikolço Iliev, prokuroria ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit-Shtip, e cila aktualisht është duke shqyrtuar rastin. Ndërsa për të tretin, ish-drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska, prokuroria nuk ka dorëzuar ankesë.

Kryetari aktual i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, mbetet i dyshuar dhe ndodhet ende në paraburgim.

Hetimet për zjarrin tragjik, që i mori jetën 59 personave, kanë përfshirë gjithsej 34 persona fizikë dhe 3 persona juridikë, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë publike.

Akuzat për këta persona mund të çojnë në dënime të rënda, nga 3 deri në 20 vjet burgim.

Shpërndaje në

U Kopjua