Live

Tre fshatra pa ujë të pijshëm – Kryetari i Zveçanit akuzon Ujësjellësin për mosrespektim të marrëveshjes

12:05 / 23 Maj 2025

Nga Kosova Live

Tre fshatra të Komunës së Zveçanit, Lipë, Boletin dhe Zhazhë, po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, pavarësisht një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet komunës dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook,  se KRU “Mitrovica” nuk po e zbaton marrëveshjen e arritur më 5 shkurt 2025, e cila sipas tij obligon ujësjellësin të furnizojë me ujë të pijshëm të gjithë qytetarët e komunës, përfshirë edhe fshatrat shqiptare, njofton Klankosova.tv.

“Njoftojm të gjithë qytetarët që pas shumë përpjekjeve nga ana jonë si komunë, që ta bindim ujësjellësinë per t’i furnizuar me ujë të pijshëm banorët e fshatrave, prap se prap ata nuk janë duke zbatuar marrëveshjen të cilën e kemi nënshkruar me datën 05.02.2025 dhe numër protokolli 1296/25, e që kanë obligim ligjor që gjithë qytetarët e komunës sonë të furnizohen me ujë të pijshëm.

Andaj, ju kërkojmë falje banorëve dhe i bëjmë thirrje publike ujësjellësitë t’i furnizojnë banorët e fshatrave shqiptare me ujë të pijshëm, sipas marrëveshjes së arritur”, ka shkruar Peci.

Shpërndaje në

U Kopjua