Live

Trump dhe Putin s’marrin pjesë në takimin e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës në Turqi

09:09 / 15 Maj 2025

Nga Kosova Live

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai amerikan Donald Trump nuk do të marrin pjesë në bisedimet e para të drejtpërdrejta për paqe mes Moskës dhe Kievit që do të mbahen të enjten në Stamboll.

Në vend të Putinit, Kremlini do të dërgojë një delegacion me zyrtarë teknikë si këshilltari presidencial Vladimir Medinsky dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Alexander Fomin.

Trump, i cili po zhvillon një turne në Lindjen e Mesme, kishte lënë të hapur mundësinë për pjesëmarrje, por pas njoftimit të delegacionit rus, Shtëpia e Bardhë konfirmoi mungesën e tij.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, që ndodhej rrugës për në Turqi, tha se do të merrte pjesë vetëm nëse merrte pjesë edhe Putin, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Trump propozoi një armëpushim 30-ditor, që Zelenskiy e mbështet, por Rusia kërkon fillimisht bisedime për kushtet e këtij armëpushimi. Uashingtoni ka paralajmëruar se mund të vendosë sanksione shtesë ndaj Moskës dhe blerësve të naftës ruse, nëse kjo e fundit bllokon procesin.

Bisedimet e fundit të drejtpërdrejta Rusi-Ukrainë u mbajtën në mars 2022, po ashtu në Stamboll. Putin përmendi një draft-marrëveshje të asaj kohe, sipas së cilës Ukraina do të shpallte neutralitet në këmbim të garancive ndërkombëtare të sigurisë, por Kievi e ka quajtur këtë një “vijë të kuqe”. Trump dhe Putin s’marrin pjesë në takimin e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës në Turqi

Shpërndaje në

U Kopjua