Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B. në kohëzgjatje prej nga një muaj, për secilën.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat kanë kryer veprën penale Përvetësimi në detyrë.
“Të pandehurat K.A. dhe Q.M.B. obligohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, në të cilën jetojnë dhe në asnjë mënyrë pa leje të gjykatës nuk guxojnë të largohen nga shtëpia e tyre, po ashtu detyrohet Policia e Kosovës që të verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj, ta informojnë gjyqtaren e procedures paraprake, në këtë çështje penale. Konform nenit 181 paragrafi 5 të KPPRK-së, gjykata mund ta caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse të pandehurat nuk e respektojnë masën e shqiptuar si në këtë aktvendim”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, Themelorja shtoi se gjykata konstatoi se ekziston dyshimi se nëse të pandehurat gjenden në liri, do të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale duke asgjësuar, fshehur ose ndikuar në dëshmitarë dhe në prova të tjera materiale, në këtë mënyrë do të pengonin rrjedhën normale të procedurës penale, për atë u vendosën në masën e arrestit shtëpiak.
“Gjykata po ashtu vlerësoj se masa e arrestit shtëpiak është caktuar edhe për shkak të peshës së veprës penale, mënyrës dhe rrethanave në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, duke pasur parasysh se në rastin konkret kemi të bëjmë me përvetësim të parave, të cilat iu janë besuar nga Komuna e Prishtinës, për t’u subvencionuar fëmijët të cilët i plotësojnë kriteret ligjore për subvencionim dhe duke marrë parasysh shumën e dëmit që supozohet se i është shkaktuar buxhetit, mbi 51 mijë euro, dhe me këtë të pandehurat dyshohen se kanë marrë veprime inkriminuese, duke përgatitur së bashku listat e përfituesve dhe duke i dërguar në Komunë të Prishtinës, andaj gjykata konsideron se ekziston baza ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj dy të pandehurave”, thuhet në njoftim.
Klankosova.tv ka raportuar për rastin në fjalë dhe e përfshirë është edhe drejtoresha e këtij kopshti, Kadrije Asllani. E njëjta dyshohet se dëmi që shkaktoi është në vlerë të 100 mijë eurove.
Siç ka mësuar dje klankosova.tv, nga burime ekskluzive, paratë i kanë paguar prindërit e fëmijëve dhe e njëjta i ka fut në subvencion të komunës.
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar hetime lidhur me dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
Dyshimet përfshijnë gjithashtu tërheqje të parave në mënyrë të parregullt dhe blerje të pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.