Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka paralajmëruar amerikanët se mund të përballen me vështirësi përpara se tarifat e tij të “ditës së çlirimit” të rivendosin fuqinë ekonomike të vendit.
Tarifat gjithëpërfshirëse të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për shumicën e partnerëve tregtarë të vendit kanë hyrë në fuqi të enjten, duke shkaktuar një rënie të madhe në bursën amerikane. Kjo rënie është më e thella që nga pandemia e COVID-19. Në përgjigje të këtyre tarifave, Kina ka vendosur një taksë prej 34% për mallrat amerikane, ndërsa disa vende të tjera gjithashtu kanë paralajmëruar masa hakmarrëse.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, presidenti Trump ka ftuar popullin amerikan të “mbahet fort” dhe të presë një përgjigje të fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar. Ai theksoi se këto politika nuk do të jenë të lehta, por ai beson se rezultati përfundimtar do të jetë “historik”.
“Nuk do të jetë e lehtë, por rezultati përfundimtar do të jetë historik,” ka thënë Trump. Ai ka vazhduar duke e quajtur tarifat si një “revolucion ekonomik,” duke shtuar se SHBA do të fitojë dhe se do ta bëjë Amerikën të madhe përsëri.
Presidenti amerikan ka theksuar se Kina është goditur shumë më rëndë se SHBA-ja, dhe ka kritikuar trajtimin që disa vende të tjera i kanë bërë SHBA-së në vitet e kaluara. Ai ka shtuar se administrata e tij është duke rikthyer vendet e punës dhe bizneset, me investime që kanë arritur tashmë më shumë se pesë trilion dollarë dhe po rriten me shpejtësi.
Politikat e Trumpit kanë shkaktuar një reagim të fortë nga shtetet e tjera, ndërsa shumë analistë tregojnë se tensionet tregtare mund të kenë pasoja afatgjata për ekonominë globale.