Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv përmes të cilit pezulloi përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-ve për 90 ditë, në pritje të rishikimit për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me synimet e tij politike.
Nuk është ende e qartë se cilat ndihma do të preken nga urdhri, pasi fondet për shumë programe tashmë janë ndarë nga Kongresi dhe janë të obliguara të shpenzohen.
Urdhri, i nënshkruar në ditën e parë të kthimit të Trumpit në detyrë, tha se “burokracia dhe industria e ndihmës së huaj nuk është në linjë me interesat amerikane dhe në shumë raste është në kundërshtim me vlerat amerikane”.
Rrjedhimisht, Trump deklaroi se “asnjë ndihmë e huaj e mëtejshme e Shteteve të Bashkuara nuk do të jepet në një mënyrë kur nuk është plotësisht në linjë me politikën e jashtme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio u tha anëtarëve të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit gjatë mledhjes së tij të konfirmimit javën e kaluar se “çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim duhet të justifikohet me përgjigjen e tri pyetjeve të thjeshta:
A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”, tha ai.
Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar janë agjencitë kryesore që mbikëqyrin ndihmën e huaj.
Trump ka kritikuar prej kohësh ndihmën e huaj amerikane nëpër botë, pavarësisht nga fakti se një ndihmë e tillë zakonisht arrin në afërsisht 1% të buxhetit federal, me përjashtim të rrethanave të pazakonta siç janë miliardat e ofruara në armatim për Ukrainën.
Ky vendim me shumë gjasa do të ketë ndikim edhe në Kosovë, si një nga vendet përfituese nga programet e qeverisë amerikane.
Vitin e kaluar, Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nënshkroi marrëveshje me Kosovën për një grant në vlerë 34.5 milionë dollarë.
Për të ditur ndikimin e plotë të urdhrit të Trump në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të botës, duhet të presim zbatimin e këtij urdhri ekzekutiv, pra se cilat programe do të pezullohen dhe cilat do t’i shmangen këtij urdhri.