Ka mbërritur reagimi i parë i Kremlinit ndaj deklaratave të Donald Trump, i cili gjatë fundjavës tha se ishte “shumë i zemëruar” me Vladimir Putinin.
Trump tha se ishte “shumë i zemëruar” kur presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për largimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe krijimin e një qeverie kalimtare të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, shkruan yahoonews.
“Qeveria e re do të thotë se nuk do të ketë një marrëveshje për një kohë të gjatë, apo jo?” tha ai.
“Nëse jemi në mes të negociatave, atëherë mund të them se isha shumë i zemëruar, i tërbuar, kur Putin filloi të vinte në dyshim kredibilitetin e Zelenskyt, sepse thjesht nuk shkon në drejtimin e duhur, e dini?”, tha Trump.
Çfarë tha për këtë zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov?
“Ne po punojmë me palën amerikane, në radhë të parë për të riparuar marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat janë dëmtuar rëndë gjatë administratës së mëparshme amerikane”, tha Peskov në konferencën e përditshme për shtyp.
Ai shtoi se Moska “po punon gjithashtu në disa fusha që lidhen me procesin e paqes në Ukrainë”, por se nuk ka ende informacion konkret për të ndarë.
“Puna vazhdon. Procesi është i gjatë për shkak të kompleksitetit të tij. Presidenti mbetet i hapur për kontakte me presidentin Trump. Një telefonatë mund të organizohet shpejt nëse është e nevojshme”, tha Peskov.
Kur u pyet konkretisht nga një gazetar në lidhje me deklaratat e Trumpit, ai tha: “Pjesët që përmendët i referohen parafrazimit, jo citimeve të drejtpërdrejta.”